Eksperti i sigurisë Drizan Shala ka reaguar pas deklaratës së Kryeministrit në detyrë për krijimin e Xhandarmërisë së Kosovës, duke theksuar se kjo ishte paralajmëruar prej tij që më 22 tetor 2023 si nevojë strategjike për sigurinë kombëtare.
Sipas Shalës, krijimi i kësaj strukture përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të Kosovës për menaxhimin e krizave, sigurinë kufitare dhe reagimin e shpejtë institucional. Ai vlerësoi se reflektimi i këtyre ideve në vendimmarrje shtetërore dëshmon rëndësinë e planifikimit strategjik në fushën e sigurisë.
Shala theksoi se Xhandarmëria duhet të ndërtohet mbi standarde profesionale, koordinim institucional dhe vizion afatgjatë për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Postimi i plotë:
Xhandarmëria e Kosovës: Nga Paralajmërim Strategjik në Vendim Shtetëror
Prej kohësh kemi paralajmëruar ( 22.10.2023 ) nevojën për krijimin e një strukture të re të sigurisë, të integruar dhe funksionale me arkitekturën ekzistuese të sigurisë së Kosovës — Xhandarmërinë e Kosovës.
Mbrëm, Kryeministri në detyrë konfirmoi publikisht se kjo strukturë do të marrë jetë dhe do të zbatohet në praktikë.
Kjo dëshmon se konceptet strategjike dhe paralajmërimet profesionale për nevojat e sigurisë kombëtare po gjejnë reflektim në vendimmarrje konkrete shtetërore.
Për një shtet si Kosova, ndërtimi i kapaciteteve të reja për menaxhimin e krizave, sigurinë kufitare, reagimin e shpejtë dhe mbështetjen e rendit kushtetues nuk është luks politik — është domosdoshmëri strategjike.
Mbetet thelbësore që kjo strukturë të ndërtohet mbi standarde profesionale, koordinim institucional dhe vizion afatgjatë për sigurinë kombëtare të Kosovës.