“Populli të mos harroj kur Lushtaku dhe familjarët e tij tentuan ta vrisnin avokatin Gazmend Halilaj”

Analisti politik Lirim Gashi në një reagim të tij në facebook ka thënë se energjia vetëshkatërruese po e godet vetë PDK-në, e cila për disa vites ka ushqyer me arrogancë, mashtrim, krim, tradhti, hakmarrje dhe verbëri politike.

 

Ai përmend edhe rastin për tentim-vrasjen e avokatit Gazmend Halilaj, ku thotë se familjarët dhe bashkëpunëtorët e afërt të Sami Lushtakut u kapën para disa vitesh në flagrancë nga kamerat duke tentuar ta vrasin avokatin.

Sipas tij, tragjedia më e madhë në PDK nuk është se po e sulmojnë kundërshtarët, por që po e fundos vetveten me arrogancën e tyre.

Reagimi i plotë:

 

Energjia vetëshkatërruese me të cilën PDK-ja e godet vetveten, ngjan me një bishë të errët që ajo vetë e ka ushqyer prej vitesh me arrogancë, mashtrim, krim, tradhti, hakmarrje dhe verbëri politike.

Çdo sulm kundër kundërshtarit, i ndërtuar mbi urrejtjen dhe jo mbi mençurinë, po i kthehet si helm në damarët e saj.

Dhe tani, ai helm është shndërruar në një djall gjigant që nuk ka më nevojë për armiq të jashtëm, sepse po e shqyen krijuesin e vet nga brenda — ngadalë, pamëshirshëm dhe me etjen e një përbindëshi që ushqehet me frikën, panikun dhe gabimet e atyre që e sollën në jetë.

PDK-ja sot i ngjan një kështjelle që nuk po rrënohet nga topat e armikut, por nga zjarri që vetë e ka ndezur në bodrumet e saj.

Kur një parti arrin deri në atë pikë sa t’i shpallë “legalistë” njerëzit që kamerat i kanë kapur duke vrapuar pas një avokati për ta eliminuar fizikisht, atëherë nuk kemi më të bëjmë me krizë politike, por me kalbëzim moral të një mendësie që e konsideron ligjin vetëm dekor për konferenca shtypi.

Populli nuk duhet ta harrojë kurrë se familjarët dhe bashkëpunëtorët e afërt të Sami Lushtakut u kapën para disa vitesh në flagrancë nga kamerat duke tentuar ta vrasin avokatin Gazmend Halilaj.

Dhe megjithatë, në vend se të skuqeshin nga turpi, disa analistë faqezi të ekraneve tona dhe anëtarë të kryesisë së PDK-së dolën para qytetarëve me seriozitet teatral për ta paraqitur dhunën si heroizëm, ndërsa agresorin si “mbrojtës të rendit” e “legalist”.

Kjo është pika ku propaganda nuk prodhon më bindje, por vetëm neveri.

Sepse vetëm në një realitet të deformuar mund të ndodhë që viktima të trajtohet si fajtor, ndërsa njeriu që endet mes dosjeve gjyqësore, kërcënimeve dhe hijes së armës të shitet si simbol i shtetit ligjor.

Sa më shumë përpiqen ta lyejnë dhunën me parfumin e patriotizmit, aq më fort ndihet era e kalbëzimit politik.

Dhe tragjedia më e madhe për PDK-në nuk është se po e sulmojnë kundërshtarët, por se po e fundos arroganca e atyre që ende besojnë se populli është aq naiv sa të mos u besojë syve të vet.