Analisti politik Lirim Gashi ka publikuar një shkrim të ashpër kundër gazetarit Lirim Mehmetaj dhe një pjese të mediave e analistëve në Kosovë, duke i akuzuar për relativizim të korrupsionit, propagandë politike dhe deformim të realitetit publik.
Në reagimin e tij të gjatë, Gashi thotë se ashpërsimi i gjuhës në shoqëri nuk vjen rastësisht, por është pasojë e zhgënjimit qytetar ndaj padrejtësive, korrupsionit dhe mungesës së drejtësisë pas luftës.
Ai shkruan se “populli nuk flet me mllef nga dëshira për dhunë, por nga lodhja e gjatë”, duke përmendur korrupsionin, pasurimin e elitave politike, veteranët e rremë, privatizimet dhe mosndëshkimin e figurave të fuqishme politike.
Gashi kritikon edhe figurat mediatike dhe analistët publikë, duke përmendur emra si Berat Buzhala, Leonard Kerquki, Adriatik Kelmendi, Parim Olluri, Vebi Kajtazi dhe Valon Syla, për të cilët thotë se janë pjesë e një “klime mediatike ku cinizmi është bërë gjuhë e zakonshme”.
Në shkrim përmenden edhe Baton Haxhiu dhe Shkëlzen Maliqi, të cilët Gashi i konsideron si përfaqësues të një qasjeje që, sipas tij, relativizon përgjegjësinë politike dhe morale të ish-pushteteve.
Reagimi i plotë:
KUR RELATIVIZIMI KTHEHET NË SISTEM DHE E VËRTETA NË LUKS TË PANEVOJSHËM
O Lirim Mehmetaj !
O zë i humbur në korridoret armiqësore të propagandës serbe, i dehur nga patriotizmi serbofil i Baton Haxhiut dhe i ushqyer me thërrimet e arta të oligarkisë shqipfolëse — asaj krijese përbindëshe me rrënjë në Beograd dhe me degë helmuese të shtrira nëpër Kosovë si ferrat mbi muret e një shtëpie të rrënuar.
Gjuha nuk ndizet si kashta në erë.
Ajo nuk egërsohet pa plagët, pa zhgënjimet dhe pa padrejtësitë që e ushqejnë.
Ti ankohesh për gjuhën e ashpër të popullit, por harron se gjuha nuk egërsohet vetvetiu. Ajo nuk zgjohet një mëngjes me etje për zjarr. Gjuha është pasqyra e plagëve që ish pushtetet e pasluftes ua kanë hapur njerëzve me duart e veta.
Sepse nuk janë fjalët ato që e helmojnë shoqërinë.
Shoqërinë e helmojnë:
mashtrimi që shitet si moral,
hajnia që maskohet si patriotizëm,
krimi që kërkon të quhet sakrificë,
dhe propaganda që kërkon të paraqitet si gazetari.
Kur padrejtësia parakalon nëpër rrugë me eskortë e sirena, ndërsa drejtësia endet zbathur si jetim para dyerve të institucioneve, atëherë edhe gjuha fillon të ulërijë.
Sepse populli nuk flet me mllef nga dëshira për dhunë, por nga lodhja e gjatë, duke parë sesi hajnat bëhen milionerë, sesi injoranca ngrihet në piedestal dhe sesi servilët e keqbërësve që shesin moral shndërrohen në analistë kombëtarë.
Pas çlirimit të Kosovës, njerëzit nuk ëndërronin pallate, tenderë dhe vila me mure të larta.
Ata ëndërronin drejtësi.
Ëndërronin shtet.
Ëndërronin dinjitet.
Por çfarë panë?
Panë veteranë të vërtetë duke numëruar qindarkat për bukë dhe veteranë të rrejshëm teksa shndërroheshin në bankomatë elektoralë.
Panë privatizime ku pasuria publike ndahej si plaçkë lufte ndërmjet miqve të pushtetit.
Panë njerëz pa asnjë vlerë intelektuale duke u pasuruar me shpejtësinë me të cilën myku mbulon bukën e harruar.
Dhe pastaj u habitët pse gjuha u bë e ashpër?
Si të mos bëhej?
Kur qytetarët panë se dosjet e korrupsionit flinin më qetë se foshnjat në djep.
Kur vrasjet e figurave publike mbetën të mbuluara nga mjegulla e heshtjes institucionale.
Kur drejtësia u shndërrua në një rrjetë merimange që kap vetëm mizat e vogla, ndërsa grerëzat politike fluturojnë lirshëm mbi ligjin.
Edhe varfëria e bëri gjuhën të ashpër.
Edhe largimi masiv i të rinjve.
Edhe faturat që rriteshin më shpejt se shpresa.
Edhe arroganca e politikanëve që jetonin si sulltanë mbi një popull që mezi merrte frymë.
Sepse vjen një çast kur populli nuk zemërohet më vetëm nga padrejtësia, por nga tallja që bëhet me padrejtësinë.
Dhe pikërisht aty fillon eskalimi i gjuhës.
Pastaj politika e shndërroi kundërshtarin në armik, debatin në linçim publik dhe propagandën në industri kombëtare të mashtrimit. Televizionet filluan ta shpërblejnë britmën më shumë se mendimin, nënshtrimin më shumë se integritetin dhe zhurmën më shumë se të vërtetën.
Prandaj mos u habit pse njerëzit sot flasin me zjarr në gojë.
Sepse një popull që për vite të tëra nuk dëgjohet kur flet qetë, një ditë fillon të ulërijë.
Dhe kur drejtësia vonohet pafundësisht, fjalët bëhen më të rënda se gurët.
Sepse ka kohë kur gjuha nuk është më vetëm mjet komunikimi,
por aktakuzë morale kundër një epoke të kalbur.
Dhe pikërisht në këtë mjegull morale, në këtë republikë të lodhur nga fjala që është bërë lodër dhe nga e vërteta që është bërë mall i lirë, u ngrit një kastë meditiatike zërash që jetojnë nga keqinterpretimi i përhershëm i realitetit — jo për ta ndriçuar atë, por për ta relativizuar krimin e atyre që e kanë bërë të padurueshëm për popullin.
Ata nuk mbajnë uniforma. Nuk kanë nevojë. Sepse uniforma e tyre është fjala e butë, ironia e ftohtë, dhe aftësia për ta kthyer çdo indinjatë në “ekzagjerim emocional”.
Në çdo kohë të prishur, shfaqen njerëz që e mësojnë shoqërinë të mos besojë në dhimbjen e saj. Ata thonë: nuk është plagë, është reagim. Nuk është padrejtësi, është perceptim. Nuk është korrupsion, është narrativë politike.
Në këtë hapësirë të turbullt publike, figurat si ti Lirim Mehmetaj dhe si shokët e tu Berat Buzhala, Leonard Kerquki, Adriatik Kelmendi, Parim Olluri, Vebi Kajtazi dhe Valon Syla shihen nga shumica e shqiptarëve jo si zëra neutralë, por si pjesë e një klime mediatike ku cinizmi është bërë gjuhë e zakonshme dhe ku distanca morale është kthyer në metodë pune.
Jo si monolite, por si pjesë e një peizazhi ku fjala publike shpesh nuk matet më me të vërtetën, por me efektin, me klikimin, me ndikimin dhe me aftësinë për ta mbajtur debatin në një rreth të pafund relativizimi.
Në këtë klimë, ndikimet e Baton Haxhiut dhe Shkëlzen Maliqit janë referenca të një mënyre të të menduarit ku ish pushteti nuk gjykohet absolutisht, por lexohet gjithmonë në funksion të rrethanës; ku e vërteta nuk është qëllim, por pozicion.
Historikisht, kjo nuk është e re. Çdo rend i brishtë ka prodhuar keqinterpretues të realitetit që nuk e kundërshtojnë pushtetin e kalbur drejtpërdrejt, por e zbusin perceptimin e tij. Ata nuk janë gjithmonë propagandistë në kuptimin klasik; shpesh janë më të rrezikshëm pikërisht sepse duken si vëzhgues.
Politikisht, kjo krijon një terren ku debati nuk shkon drejt zgjidhjes, por drejt lodhjes. Ku qytetari nuk bindet, por rraskapitet. Dhe në atë rraskapitje, e vërteta humb peshën e saj.
Filozofikisht, është triumfi i relativizmit të pastër: asgjë nuk është plotësisht e vërtetë, prandaj gjithçka bëhet e diskutueshme deri në pafundësi. Dhe në atë pafundësi, përgjegjësia tretet.
Psikologjikisht, kjo është mënyra se si një shoqëri e zhgënjyer mëson të mbijetojë me realitetin që nuk e ndryshon dot: duke e bërë më pak të dhimbshëm përmes fjalës.
Sociologjikisht, kjo klasë mediatike ecën paralelisht me strukturat e ish pushtetit dhe interesit të tyre politik dhe ekonomik, duke krijuar një hapësirë ku publiku nuk është më pjesëmarrës aktiv, por spektator i një debati të pafund, që shpesh nuk ka qëllim zgjidhjen, por vetëm vazhdimin.
Dhe këtu qëndron tragjedia: jo vetëm në gabimet e ish pushtetit, por në normalizimin e tyre përmes gjuhës.
Sepse kur çdo gjë shpjegohet, por asgjë nuk ndryshon; kur çdo skandal relativizohet, por asgjë nuk ndëshkohet; atëherë shoqëria fillon të humbasë. besimin në institucione dhe në të vërtetën si nocion.
Dhe atëherë gjuha ashpërsohet. Jo sepse njerëzit duan ta shkatërrojnë dikë, por sepse ndihen se nuk po dëgjohen më ndryshe.
Sepse ka një moment kur fjala e qetë nuk mjafton më — dhe ajo kthehet në britmë, jo nga urrejtja, por nga lodhja e gjatë që nuk dëgjohet nga ata që e kanë krijuar realitetin e hidhur.