Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se reagimi i institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë ka qenë i vonuar pas incidentit në Skenderaj, ku u përfshi zëvendësministri në Ministrinë e Financave dhe kryetari i VV-së në Skenderaj, Hysen Mehani.
I pyetur për dërgimin e njësive policore në Skenderaj pas përleshjes mes kryetarit të kësaj komune Sami Lushtakut dhe Hysen Mehanit, Kurti tha se askush nuk mund ta sfidojë shtetin dhe sundimin e ligjit në Kosovë.
“Në republikën e Kosovës nuk ka forcë, nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë grup që sfidon suksesin e shtetit. E shteti është drejtësia e ligjeve. Ligji i drejtë i Republikës na bën bashkë si shoqëri sepse na barazon para tij. E jo si dikur që na ndante në të pambrojtur e të paprekshëm”, tha ai.
Kurti tha se në lokalin ku ndodhi incidenti ka pasur kamera dhe dëshmitarë të shumtë, derisa shtoi se reagimi i policisë dhe prokurorisë është dashur të jetë më i shpejtë.
“Në lokalin në Skenderaj në të cilin është rrahur e përgjakur zëvendësministri në Ministrinë e Financave Hysen Mehmeti. Njëkohësisht edhe kryetari i qendrës së Vetëvendosjes atje. Njëkohësisht edhe kandidat për deputet për legjislaturën e 19-të. Ka kamera dhe ka shumë dëshmitarë. Me ç’mora vesh dy veta janë arrestuar. Por, për përshtypjen time reagimi edhe i policisë edhe i prokurorisë ka qenë i vonuar. Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur më pastaj në orët e pasmesnatës, por e di që reagimi është dashur të jetë shumë më i shpejtë”, tha ai.
Ai krahasoi rastin me dënimet që, sipas tij, janë shqiptuar më herët ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes për postime në rrjete sociale.
“Ju e dini që aktivistët e Vetëvendosjes për statuse në Facebook janë dënuar me nga një vit e gjysmë burg. Ta shohim tash, prokuroria për ata që marrin me grusht edhe përgjakin zëvendësministra, çfarë dënimi do të kërkojë, dhe çfarë dënimi do të japë gjyqësori”, tha ai.