Për të gjithë ata që duan paga të larta dhe kosto relativisht të ulëta të jetesës në krahasim me të ardhurat, Lihtenshtajni është një vend i shkëlqyer për t’u zhvendosur në Evropë, përcjell TV21. Ose të paktën kështu thuhet sipas “Indeksit të Zhvendosjes pa Tatim” (Tax-Free Relocation Index) nga kompania “William Russell”. Banorët e këtij shteti evropian, i vendosur mes Austrisë dhe Zvicrës, kanë një pagë mesatare mujore prej 8.249 eurosh.
Indeksi identifikon destinacionet më të mira për zhvendosje, duke marrë parasysh vendet me norma të ulëta ose zero të tatimit mbi të ardhurat. Për më tepër, si faktorë merren paga mesatare në vend, kostot e banimit dhe normat tatimore, të gjitha këto si udhëzime për persona që kërkojnë vendet më të favorshme financiarisht për të jetuar dhe punuar. Megjithatë, Lihtenshtajni është një shtet me vetëm 160,5 kilometra katrorë dhe me rreth 40.000 banorë, ku 70% e fuqisë punëtore përbëhet nga të huaj – kryesisht nga Gjermania, Austria dhe Zvicra.
Ky vend i vogël ka natyrë të bukur dhe të paprekur – ndodhet në luginën e lumit Rhine në Alpe. Përveç kësaj, Lihtenshtajni krenohet me një ekonomi të qëndrueshme që është ngushtë e lidhur me Zvicrën, një standard të lartë jetese dhe nivel të lartë sigurie; thuhet se krimi këtu pothuajse nuk ekziston.
Duhet të merret parasysh se Lihtenshtajni, për shkak të hapësirës dhe popullsisë së kufizuar, lëshon një numër të kufizuar lejesh qëndrimi. Më e lehta për të marrë leje është nëse gjeni një punëdhënës direkt në vend. Punët më të kërkuara janë në sektorin e IT-së, financave, inxhinierisë dhe mjekësisë./tv21.tv