Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një rast të rëndë të shpërdorimit të pasurisë së huaj në Prishtinë, ku një veturë e marrë për shfrytëzim të përkohshëm dyshohet se është shitur jashtë Kosovës.
Sinjali merr vesh se bëhet fjalë për Gzim Dibrani, rreth 30-vjeçar, i cili dyshohet se kishte marrë një veturë të tipit “Golf 8” nga kompania “Premium EX-IM” SHPK në Prishtinë, me marrëveshje për shfrytëzim njëjavor.
Sipas burimeve, vetura fillimisht ishte marrë më 4 maj 2026 në zyrat e kompanisë nga i dyshuari, ndërsa vetëm dy ditë më pas, më 6 maj, ajo kishte kaluar kufirin në pikën kufitare në Jarinjë.
Një ditë më vonë, më 7 maj rreth orës 22:55, dyshohet se vetura është shitur në qytetin Çaçak të Serbisë, në një servis të njohur si “Auto Otpad vend-prodaja”, për shumën prej 3900 euro.
Sinjali mëson se i dyshuari, sipas deklarimeve të ankuesit E. S., rreth 29-vjeçar, fillimisht kishte marrë veturën për përdorim të përkohshëm, por më pas kishte pranuar se e kishte shitur jashtë vendit.
Pas denoncimit të rastit, është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprën penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj”.
Rasti po hetohet nga autoritetet kompetente.