Katastrofale për LDK-në, dështon ”Bashkimi i së Djathës” Lumir-Vjosa

Hykmete Bajrami ka reaguar për herë të parë pasi partia vendosi që ajo të mbajë numrin 12 në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 7 qershorit.

 

Bajrami, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se LDK-ja është më e madhe se çdo individ dhe më e madhe se çdo rrethanë.

Në reagimin e saj ajo nuk ka kursyer “kunjat” ndaj Vjosa Osmani, duke treguar se si i është kumtuar lajmi.

“Prej se jam në politikë, e zgjedhur deputete shtatë herë, kam qenë, jam dhe do të jem në LDK. Kam qenë këtu në ditë të mira e në ditë të vështira. Nuk e kam braktisur LDK-në për interesa personale dhe nuk e kam parë asnjëherë si stacion të përkohshëm politik. Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale”, thuhet në reagimin e Bajramit.

Ajo ka thënë se betejën e ka për Kosovën dhe se nuk i nënshtrohet pushteti.

“Beteja ime është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit; për politikën që i shërben qytetarit e jo interesave personale; për demokracinë që nuk tkurret; për qytetarin që kërkon llogari nga qeveria; për biznesin që nuk pengohet nga politika dhe për institucione që nuk kapen nga partitë. Kauza ime është Kosova shtet i fortë dhe këtë kauzë mund ta çojë përpara vetëm LDK-ja, me njerëzit e saj, LDK-ja që i mbron parimet e veta dhe nuk harron pse ekziston. Të nderuar qytetarë, votues dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lista e LDK-së ka 110 kandidatë. Në mesin e tyre, secili prej jush mund t’i gjejë me lehtësi 10 personalitete, të denjë për t’ju përfaqësuar. Andaj, analizojeni listën dhe më 7 qershor votoni me bindje – votoni LDK!”, thuhet në reagimin e Bajramit.