Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës pritet të mblidhet sot në ora 16:00, ku në fokus kryesor do të jetë çështja e rikthimit të Fatmir Limajt në PDK dhe përfshirja e tij në listën për deputetë, transmeton IndeksOnline.
Fatmir Limaj të premten i ka dërguar një letër kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, përmes së cilës ka kërkuar që të përfshihet në listën për deputet pa asnjë kusht.
Kjo kërkesë ka nxitur reagime pozitive brenda strukturave të PDK-së, ndërsa një pjesë e madhe e elektoratit dhe zyrtarëve të lartë të partisë thuhet se janë pro rikthimit të Limajt në “shtëpinë e vjetër”.
Fatmir Limaj konsiderohet një nga themeluesit e PDK-së dhe rikthimi i tij po shihet nga shumë mbështetës si një lëvizje që do ta fuqizonte partinë para zgjedhjeve të 7 qershorit.