Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ka folur për rezolutën e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë kundër rezolutës së Dick Martyt.
Haxhiu ka thënë se e mirëpret këtë rezolutë, por ka shtuar se është herët të flasë nëse kjo rezolutë do të prodhojë efekt.
Tutje, Haxhiu ka thënë se për Gjykatën Speciale duhet të mbahen përgjegjës ata që ia “ndrydhën duart deputetëve kur u themelua në vitin 2016, e jo sipas saj, Qeveria aktuale”.
“Unë mendoj që është edhe herët të jap qëndrim, megjithatë shumë mirë e dini që Gjykata Speciale është në Kushtetutën e Republikës, e që nuk mund të ndryshohet pa dy të tretat e votave. Ne Specialen e kemi gjetur si fakt të kryer dhe si Qeveri nuk mund të mbahemi përgjegjës për Specialen. Përgjegjës mund të mbahen vetëm ata që në atë kohë ua kishin ndrydhur duart deputetëve të Kosovës. Janë ata që tani hedhin akuza në drejtim të Qeverisë tonë. Janë ata që duhet të japin përgjegjësi për veprimin që e kanë bërë.
Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është edhe divizioni për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve që ndodhen në Hagë. Mirëpres rezolutën, por në asnjë rrethanë nuk thashë nëse do të ketë ndikim apo jo”, tha Haxhiu para gazetarëve.
Haxhiu po ashtu tha se pas vizitës në Hagë është duke u shqyrtuar një mekanizëm mbikëqyrës për Specialen.
“Sa i përket mekanizmit mbikëqyrës, është duke u konsideruar, unë ju garantojë se jemi duke e diskutuar këtë çështje. Është e paprecentë që një insitucion nuk ka asnjë mekanizëm tjetër e mbikëqyrur për punën e saj. Një mekanizëm, ku qytetarët tanë kanë besim. Një mekanizëm që konsiderohet se ka kredibilitet të tillë. Sapo të dakordohemi do të ju njoftojmë për të”, tha ajo.