Pas thirrjes publike të Presidentes Vjosa Osmani drejtuar mërgatës për t’u regjistruar dhe për të marrë pjesë në zgjedhje, reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të menjëhershme dhe të shumta.
Në faqen zyrtare të Osmanit në Facebook, dhjetëra qytetarë, por edhe pjesëtarë të diasporës, kanë komentuar duke shprehur gatishmërinë për t’u regjistruar për votim. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë theksuar se vota e tyre nuk do të shkojë për listën e saj, por për kryeministrin aktual, Albin Kurti.
Komentet variojnë nga mbështetje e përgjithshme për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor, deri te deklarata të drejtpërdrejta politike, ku qytetarët shprehen se regjistrimi është i domosdoshëm, por orientimi i votës së tyre tashmë është i përcaktuar.
Ky reagim masiv vjen në një kohë kur mobilizimi i mërgatës po konsiderohet si një faktor kyç në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa thirrjet për pjesëmarrje po intensifikohen nga figura të ndryshme politike.
Ndërkohë, mbetet të shihet se sa do të ndikojë ky mobilizim dhe këto deklarime publike në rezultatin final të zgjedhjeve.