Artan Nimani nga Nisma Socialdemokrate ka komentuar zhvillimet e fundit politike lidhur me mundësinë e një bashkëpunimi me Partinë Demokratike të Kosovës në prag të zgjedhjeve.Ai për GazetaBlic theksoi se çështja e një koalicioni mbetet ende e hapur, por pranoi se ekziston një klimë që e bën një marrëveshje të tillë të mundshme.
Sipas tij, deklaratat e fundit nga lideri i Nismës, Fatmir Limaj, i cili ka thënë se për një marrëveshje me PDK-në “mjaftojnë vetëm dy minuta”, tregojnë qartë se vullneti politik për bashkëpunim nuk mungon.
“Pyetja nëse Nisma Socialdemokrate do të bashkohet me Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet që po afrohen mbetet ende e hapur, por ka sinjale të qarta politike që një bashkëpunim i tillë është i mundshëm. Fatmir Limaj ka deklaruar publikisht se për një marrëveshje me PDK-në “mjaftojnë vetëm dy minuta”, çka tregon se vullneti politik nuk mungon.
Edhe vetë Nisma ka shprehur qëndrime të qarta në favor të bashkëpunimeve që konsolidojnë spektrin politik të njëjtë”, thotë Nimani.
Megjithatë, ai bëri të ditur se deri më tani nuk ka një marrëveshje konkrete apo lëvizje formale drejt bashkimit, por theksoi se ditët në vijim mund të jenë vendimtare për përcaktimin e drejtimit politik.Sipas Nimanit, një bashkim i mundshëm mes dy subjekteve do të kishte logjikë elektorale, duke pasur parasysh se ato synojnë një elektorat të ngjashëm dhe një koalicion do të forconte ndjeshëm pozitën e tyre në garën zgjedhore.
“Aktualisht nuk ka një marrëveshje konkrete apo lëvizje formale, por ditët në vijim pritet të jenë vendimtare.
Një bashkim i tillë do të ishte logjik në aspektin elektoral, pasi të dy subjektet synojnë një elektorat të ngjashëm dhe një koalicion do të forconte dukshëm pozicionin e Partisë Demokratike të Kosovës në garë”, tha Nimani.“Pra, edhe pse jemi ende në fazë pritjeje, klima politike dhe deklaratat publike e bëjnë këtë skenar jo vetëm të mundshëm, por edhe të arsyeshëm strategjikisht”, tha ai për GazetaBlic.