LDK befason me qëndrimin nëse Bashkim Jashari propozohet për President

Burime të afërta me Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), të cituara nga Gazeta Minuti, bëjnë të ditur se kjo parti po shqyrton seriozisht mundësinë e mbështetjes së Bashkim Jasharit për postin e presidentit, në rast se ai vendos të kandidojë.

 

Sipas këtyre burimeve, brenda LDK-së nuk ka ende një vendim përfundimtar, por ekziston një qasje më e hapur ndaj figurës së Jasharit, i cili po shihet si një kandidat potencial që mund të marrë mbështetje më të gjerë politike. Diskutimet e brendshme, thuhet se janë duke u zhvilluar në nivele të ndryshme të partisë.

“LDK-ja mbetet e interesuar për një kandidat konsensual dhe, në këtë kontekst, emri i Jasharit nuk përjashtohet. Ka gatishmëri për ta shqyrtuar seriozisht një opsion të tillë,” ka thënë një burim brenda kësaj partie për Gazeta Minuti.

 

Ndryshe nga qëndrimet më të qarta të disa subjekteve të tjera, LDK pritet të vendosë në bazë të zhvillimeve politike dhe konsultimeve të mëtejshme, përfshirë edhe mundësinë e sigurimit të një mbështetjeje më të gjerë ndërpartiake.

Deri më tani, vetë Bashkim Jashari nuk ka bërë ndonjë deklarim publik për një kandidaturë të mundshme për president, por emri i tij vazhdon të qarkullojë si një ndër opsionet më të përfolura në skenën politike.