Rreth 500 mijë euro veç bileta avioni dhe akomodim për Osmanin dhe stafin, darka e dreka në vlerë 101 mijë euro

Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përfunduar mandatin e saj në krye të shtetit me 4 prill 2026, duke e përmbyllur mandatin e saj pesë vjeçar.

 

Gjatë pesë viteve të fundit, Vjosa Osmani shpesh u lavdërua për punën, por edhe më shpesh u kritikua nga akterë të ndryshëm politik.

Ajo derisa ushtronte rolin e Presidentes, pranë vetes kishte edhe dhjetëra këshilltarë e bashkëpunëtorë, që bashkë me Osmanin panë shumë vende të botës edhe atë me para të shtetit të mbledhura nga taksat e qytetarëve.

Në kuadër të punëve të shtetit që ishin lobimi për Kosovën, Osmani organizoi gjithë këto vizita e që vetëm gjatë 2025-ës i kushtuan shtetit afro gjysmë milioni euro.

Vetëm për udhëtime zyrtare jashtë vendit dhe akomodime gjatë këtyre udhëtimeve, Osmani dhe stafi i saj prej 34 personash i kanë shpenzuar buxhetit të shtetit plot 494 mijë e 371 euro e 23 cent.

Saktësisht, sipas të dhënave që ka siguruar lajmi.net përmes qasjes në dokumente publike, presidentja Vjosa Osmani ka shpenzuar 296 mijë e 332 euro e 75 centvetëm për bileta avioni të klasit ekonomik për 34 persona, që do të thotë Vjosa Osmanin dhe stafi i saj.

Përveç biletave, stafit të Presidencës i duhej edhe akomodimi. Gjatë periudhës janar-dhjetor 2025, Presidenca ka shpenzuar plot 198 mijë e 38 euro e 48 cent për akomodim për 34 personat që udhëtuan në 65 udhëtime gjithsej.

Shumë shtrenjtë i kushtuan shtetit edhe drekat e darkat zyrtare që u organizuan nga Presidenca e Kosovës. Vetëm gjatë vitit 2025, 101 mijë e 600 euro e 68 cent  pagoi Presidentja e Kosovës dhe stafi i saj për ushqime e pije në dreka e darka të ndryshme.

Për të shkuar në këto dreka e darka e kudo tjetër, Presidenca e Kosovës i kishte në dispozicion 11 vetura zyrtare bashkë me përcjelljen e Mbrojtjes së Afërt e që ishin në numër të shumtë policësh. E këto vetura normalisht që duheshin mbushur vazhdimisht me derivate që të lëviznin nga Prishtina në Gjilan, anasjelltas e në vende të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës. E për krejt këto lëvizje me automjete të presidentes Osmani, buxhetit i kushtuan hiç më pak se 17 mijë e 273 euro e 98 cent.

Këto shpenzime marramendëse të Osmanit me ekipë, janë pjesë e buxhetit të shtetit të vitit 2025, saktësisht 4.2 milionë eurove që u ndanë për Presidencën.

Përveç Osmanit dhe stafit të saj të shumtë në numër, nga Presidenca gjatë vitit 2025, u paguan edhe 17 mijë 291 euro për bileta të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit për administratën, ish-Presidentët e Kosovës dhe Këshillin Konsultativ për Komunitete.

Këta gjithashtu shpenzuan edhe 67 mijë e 876 euro në akomodime gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, 19 mijë e 350 euro për karburante si dhe 34 mijë e 184 euro.

Gjithsej, gjatë 2025-ës, këta zyrtarë kanë shpenzuar 138 mijë e 703 euro.

Në organizime protokollare, Presidenca e Kosovës gjatë 2025-ës ka shpenzuar plotë 39 mijë e 815 euro.