Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë publike deklarimin e tij të pasurisë në Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, duke zbuluar një portofol të gjerë të pasurive të paluajtshme, të luajtshme dhe të ardhurave familjare, shkruan Gazeta Minuti.
Sipas të dhënave zyrtare, Lushtaku posedon disa prona të vlefshme, përfshirë toka dhe banesa. Një ndër pasuritë më të mëdha është një sipërfaqe toke prej 50 hektarësh, me vlerë të deklaruar 250 mijë euro, e blerë që në vitin 2006, ndonëse pagesa për të ende nuk është realizuar. Ai gjithashtu ka në pronësi toka të tjera, përfshirë një prej 61.14 ari të trashëguar dhe disa parcela të blera ndër vite.
Në emër të bashkëshortes janë regjistruar edhe dy banesa me vlerë të konsiderueshme – njëra rreth 230 mijë euro dhe tjetra 200 mijë euro – të përfituara përmes marrëveshjeve të kompensimit të pronës. Po ashtu, në këtë kategori përfshihen edhe disa garazha dhe depo që lidhen me këto marrëveshje, raporton Gazeta Minuti.
Sa i përket pasurive të luajtshme, Lushtaku ka deklaruar dy vetura: një Mercedes-Benz në pronësi të bashkëshortes, me vlerë 15 mijë euro, dhe një Jaguar në emër të tij, me vlerë 9,500 euro.
Në deklarim janë përfshirë edhe mjetet financiare, ku Lushtaku ka bërë të ditur se posedon rreth 32 mijë euro para të gatshme, të siguruara nga shitja e një shtëpie. Ndërkohë, në llogaritë bankare ai mban edhe rreth 3,800 euro në dy banka në Kosovë.
Të ardhurat vjetore të tij përfshijnë mbi 13 mijë euro nga paga si dhe rreth 4,590 euro nga përfitimet si invalid i luftës. Ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar rreth 20 mijë euro të ardhura nga qiraja e banesave.
Në këtë deklarim nuk figurojnë aksione në kompani, kriptovaluta apo detyrime financiare si kredi.
Deklarimi i pasurisë është pjesë e obligimeve ligjore për zyrtarët publikë në Kosovë, në funksion të transparencës dhe luftës kundër korrupsionit.