Deklarimet e fundit të pasurisë tregojnë se ish-presidentja e vendit, së bashku me bashkëshortin e saj Prindon Sadriu, posedojnë një pasuri të konsiderueshme të paluajtshme dhe mjete financiare, të krijuara ndër vite përmes kursimeve, kredive dhe burimeve të tjera financiare, shkruan Gazeta Minuti.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, në listën e pasurive të paluajtshme përfshihen disa prona me vlerë të lartë.
Ndër to është një banesë prej 66.4 metra katrorë, e blerë në vitin 2011 në vlerë prej rreth 59 mijë euro, në pronësi të bashkëshortit. Po ashtu, deklarohet një arë prej 5.10 ari, e blerë në vitin 2016 për 35 mijë euro, në pronësi të ish-presidentes.
Pasuria më e madhe rezulton të jetë një objekt banimi prej 244 metrash katrorë, i blerë në vitin 2019 për 208 mijë euro, në pronësi të përbashkët, i financuar përmes kursimeve, borxheve dhe shitjes së një banese në Prishtinë. Në deklarim përfshihet edhe një garazh kolektiv prej 16 metrash katrorë në vlerë 5 mijë euro.
Ndërkohë, në listë figuron edhe një shtëpi në Australi, me sipërfaqe prej 150 metrash katrorë, e ndërtuar në vitin 2004 me vlerë të deklaruar prej 170 mijë euro, në pronësi të bashkëshortit, shkruan Gazeta Minuti.
Sa i përket mjeteve financiare, çifti ka deklaruar edhe para të gatshme në institucione bankare. Ish-presidentja ka mbi 3 mijë euro në një bankë në Kosovë, ndërsa bashkëshorti i saj posedon mjete më të vogla në llogari bankare si në Kosovë ashtu edhe në Australi.
Publikimi i këtyre të dhënave është bërë në kuadër të procesit vjetor të deklarimit të pasurisë, që synon transparencë më të madhe dhe rritje të llogaridhënies së zyrtarëve publikë në vend.