Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se gjatë një operacioni policor të zhvilluar në gjashtë lokacione në Zubin Potok, janë sekuestruar armë dhe pajisje të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për veprimtari të kundërligjshme.
Sipas tij, Policia e Kosovës ka konfiskuar armatim të llojeve të ndryshme, radiolidhje, një granatë dore, uniforma ushtarake si dhe 213 copë municion.
Sveçla theksoi se provat e siguruara gjatë këtij operacioni dëshmojnë përpjekje të vazhdueshme për aktivitete të jashtëligjshme, të cilat kanë potencial të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin në vend.
Ai paralajmëroi se institucionet e sigurisë do të reagojnë me vendosmëri të plotë ndaj çdo individi apo grupi që, përmes veprimeve kriminale, paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe shtetin.
“Rendi, ligji dhe siguria në Republikën e Kosovës mbeten prioritet institucional. Çdo veprim që rrezikon këto parime do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe pa asnjë kompromis”, ka deklaruar Sveçla.