E turpshme, skandaloze! Politikani i Shqipërisë e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë

Politikani shqiptar Bujar Nallbani, ish kandidat për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i është referuar si “në kufi me Serbinë”, Tropojës, qytetit verior shqiptar që nga vendasit njihet edhe si Malësia e Gjakovës.

 

Në një debat në Report TV ku po flisnin për zhvillimet në PD dhe kryetarin e kësaj partie, Sali Berisha, Nallbani pati një përplasje me gazetarin Isa Myzyraj.

“Lider s’quhet ai [Sali Berisha], sepse merret vesh se nga vjen. Ata që vijnë nga andej nga kufi me Serbinë nuk quhen liderë për mua”, tha Nallbani.

Gazetari Myzyraj i regoi, duke i kërkuar ta “mbajë gojën”.

“E para, mbaj gojën, se andej nga kufiri me Serbinë vij edhe unë…”

“Nuk të njoh… Ti s”flet si Saliu, prandaj…”, ia ktheu Nallbani.

Gazetari i tha atij se s’mund të shprehej ashtu dhe se duhet të kërkonte falje.

“Por s’mund të thuash që ata që vijnë nga veriu. E para, se e keni shumë gabim dhe në këtë rast duhet t’u kërkosh falje këtu të gjithë atyre që vijnë nga ‘kufiri me Serbinë’”, tha ai.

Nallbani tha se mund t’u kërkojë falje “të gjithëve, perveç Saliut”.

“Ne që vijmë nga andej jemi qytetarë të ndershëm të këtij vendi dhe ke bërë një gabim shumë të madh sot. Tropoja nuk është në kufi me Serbinë zotëri – është në kufi me Kosovën”, i tha gazetari.

“Por ka qenë me Serbinë, po flasim për atë kohë kur ka qenë”, ia ktheu Nallbani, duke thënë se e njeh demografinë e kufijve.

Gazetari i tha atij se “njeriu ka kohë me u koritë edhe orën e fundit të jetës së tij”.