Negociatat midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë vazhduar deri në orët e para të mëngjesit të së dielës në Islamabad, Pakistan, me delegacionet që tani po nisin një raund të ri bisedimesh, sipas mediave iraniane.
Toni i përgjithshëm dhe rezultati i negociatave ka mbetur kryesisht pozitiv, kanë thënë burime pakistaneze për CNN, por një ngërç vazhdon lidhur me kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.
Një burim pranë ekipit negociator të Teheranit i tha më parë CNN se SHBA ka bërë “kërkesa të papranueshme” për ngushticën dhe disa çështje të tjera.
Bisedimet ShBA–Iran, të ndërmjetësuara nga Pakistani, përbëjnë negociatat më të nivelit të lartë ballë për ballë midis dy vendeve në dekada.
Këtu janë disa nga titujt e tjerë të orëve të fundit:
- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se fushata ushtarake e vendit të tij kundër Iranit “nuk ka përfunduar ende”,edhe pse përpjekjet për paqe vazhdojnë në Pakistan.
- Dy shkatërrues të marinës amerikane me raketa të drejtuara kanë filluar pastrimin e minave në Ngushticën e Hormuzit, tha Komanda Qendrore e SHBA, duke shënuar anijet e para të njohura amerikane që lundrojnë në këtë rrugë ujore që nga fillimi i luftës.
- Nuk u raportuan sulme në vendet e Gjirit të shtunën, pasi rajoni u qetësua relativisht pas javësh përshkallëzimi.
- Një e treta e pikave të karburantit në Irlandë janë pa furnizim, policia po shoqëron kolonat e kamionëve me naftë dhe disa autostrada mbeten të mbyllura për shkak të protestave ndaj rritjes së çmimeve të karburantit të shkaktuar nga lufta.
- Lëvizja detare do të rifillojë plotësisht për të gjitha anijet dhe mjetet e Katarit në Gjirin Persik duke filluar nga e diela, tha Ministria e Transportit e vendit. Megjithatë, ky njoftim nuk do të thotë domosdoshmërisht se Katari ka liri të plotë lundrimi në Ngushticën e Hormuzit.
- Presidenti francez Emmanuel Macron tha në një postim në X se kishte folur me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, dhe kërkoi “respektim të plotë të armëpushimit, përfshirë në Liban”.