Në Kosovë pritet të nisë shpërndarja e shtesave për fëmijët duke filluar nga 1 qershori, datë që përkon simbolikisht me Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Burime për Gazeta Minuti bëjnë të ditur se institucionet kanë planifikuar që ekzekutimi i këtyre pagesave të bëhet pikërisht në këtë datë, duke e lidhur këtë masë mbështetëse me një nga ditët më të rëndësishme kushtuar mirëqenies së fëmijëve.
Sipas këtyre burimeve, shtesat për fëmijët janë pjesë e një pakoje më të gjerë sociale që synon të ndihmojë familjet në përballimin e kostos së jetesës dhe rritjes së çmimeve. Kjo masë konsiderohet si një ndihmë direkte për familjet, duke synuar përmirësimin e kushteve për rritjen dhe mirëqenien e fëmijëve.
Po ashtu, burimet theksojnë se kjo datë është zgjedhur jo rastësisht, por për të dhënë një mesazh simbolik për përkushtimin institucional ndaj fëmijëve dhe të drejtave të tyre.
Megjithatë, ekzekutimi i pagesave mbetet i lidhur me përfundimin e procedurave ligjore dhe miratimin përfundimtar të paketës nga institucionet përkatëse, ndërsa një njoftim zyrtar pritet në ditët në vijim.