Armëpushimi Shba-Iran, bie ndjeshëm cmimet e naftës në tregjet globale

Çmimi i naftës ka pësuar një rënie të fortë menjëherë pas njoftimit të Presidentit Donald Trump për një armëpushim dyjavor me Iranin, i kushtëzuar me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Sipas raportimeve të fundit nga tregjet ndërkombëtare, Brent Crude ka rënë me më shumë se 5%, ndërsa në disa momente humbjet kanë qenë edhe më të thella gjatë sesionit të tregtimit. Edhe WTI (West Texas Intermediate) ka pësuar një rënie të fortë, duke humbur disa dollarë për fuçi brenda pak orësh.
Kjo rënie vjen pasi tregjet po interpretojnë armëpushimin si një sinjal të fortë për ulje të rrezikut të ndërprerjes së furnizimit global me naftë, veçanërisht përmes Ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon rreth 20% e tregtisë botërore të naftës.
Më herët gjatë ditës, çmimi i Brent kishte kaluar nivelin e 110 dollarëve për fuçi, ndërsa në kulmin e krizës kishte prekur edhe zona shumë më të larta, për shkak të frikës se përshkallëzimi ushtarak mes SHBA-së dhe Iranit mund të mbyllte plotësisht këtë korridor strategjik detar.
Pas lajmit për pezullimin e sulmit, investitorët reaguan menjëherë edhe në bursë. Futures e tregut amerikan dhe australian (ASX) u rritën, duke reflektuar optimizmin se një përshkallëzim i mëtejshëm ushtarak mund të shmanget, të paktën për momentin.
Analistët theksojnë se lëvizja e çmimit tregon sa i ndjeshëm mbetet tregu ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Çdo lajm që lidhet me Hormuzin ndikon menjëherë te nafta, pasi kjo rrugë është kyçe për eksportet nga Arabia Saudite, Emiratet, Iraku dhe Katari.
Nëse armëpushimi respektohet dhe qarkullimi në ngushticë rikthehet në normalitet, çmimi i naftës mund të pësojë një tjetër rënie në orët në vijim.