Burime të sigurta të Gazetës Minuti bëjnë të ditur se kryeministri Albin Kurti tashmë ka finalizuar një ofertë konkrete që pritet t’ia paraqesë Lidhja Demokratike e Kosovës në përpjekje për të zhbllokuar procesin e zgjedhjes së presidentit.
Sipas këtyre burimeve të Gazeta Minuti, në variantin e parë të ofertës, Kurti do t’i kërkojë LDK-së që të dalë me një kandidat për president, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështeste këtë kandidaturë duke siguruar edhe 30 nënshkrimet e nevojshme për procedim në Kuvend.
Në anën tjetër, sipas burimeve të Gazeta Minuti opsioni i dytë parasheh arritjen e një marrëveshjeje për një kandidat konsensual, i cili do të pranoheshe nga një shumicë më e gjerë politike, duke shmangur kështu mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme dhe duke ofruar një zgjidhje më stabile institucionale.
Po ashtu, të njëjtat burime të Gazeta Minuti theksojnë se në kuadër të kësaj strategjie, LVV nuk përjashton mundësinë që të tërhiqet nga kandidaturat e Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçakut, për t’i hapur rrugë një emri tjetër më të pranueshëm për të gjitha palët në garën për president.
Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmime zyrtare nga asnjëra palë politike, ndërsa mbetet të shihet nëse Lumir Abdixhiku dhe drejtuesit e LDK-së do të pranojnë një ofertë të tillë.
Takimet dhe negociatat e ditëve në vijim pritet të jenë vendimtare për epilogun e kësaj çështjeje, e cila mbetet një nga sfidat kryesore të skenës politike në vend./Gazeta Minuti/