Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se Qeveria e Kosovës do ta sjellë në Kuvend Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, një paketë ekonomike në vlerë prej 200 milionë eurosh që synon të ndihmojë qytetarët më të prekur nga rritja e çmimeve dhe inflacioni. Sipas Muratit, pjesa kryesore e paketës përfshin mbështetje të njëhershme për pensionistët, të cilët kanë shprehur shqetësimet më të mëdha për kostot e jetesës, shkruan Gazeta Minuti.
“Qeveria jonë është duke punuar që të ofrojë një lehtësim të menjëhershëm për pensionistët dhe kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve. Kjo paketë ka për qëllim të mbështesë ata që përballen më shumë me sfidat e inflacionit dhe të rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve,” tha Murati gjatë një deklarate për media.
Ai shtoi se, përveç pensionistëve, përfitues do të jenë edhe fëmijët që marrin shtesa, studentët, dhe grupet e tjera sociale që kanë nevojë për mbështetje të menjëhershme financiare. “Ne kemi përgatitur këtë paketë në mënyrë që të ketë efekt të menjëhershëm në jetën e qytetarëve dhe të ndihmojmë në përballimin e sfidave ekonomike,” tha ai, njofton Gazeta Minuti.
Murati paralajmëroi se pakoja do të diskutohet dhe miratohet në Kuvend në ditët në vijim, duke u bërë kështu një nga masat kryesore të Qeverisë për t’u përballur me pasojat e rritjes së çmimeve dhe për të mbrojtur kategoritë më të rrezikuara të shoqërisë. Ai po ashtu bëri të ditur se Qeveria po shqyrton mundësinë që disa masa të tjera të paketës të targetohen edhe për bizneset e vogla dhe sektorin privat, për të lehtësuar barrën ekonomike në përgjithësi/ Gazeta Minuti/