Trump shpall misionin e ri: “Do të forcojmë dominimin tonë në garën globale për hapësirën!”

Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një hap historik në eksplorimin hapësinor, misioni Artemis, i cili synon të rikthejë astronautët në Hënë për herë të parë që prej vitit 1972.

Ky projekt nuk shihet vetëm si një arritje shkencore, por edhe si një instrument strategjik në politikën e brendshme dhe atë ndërkombëtare.

 

Administrata e presidentit Donald Trump e ka vendosur misionin në qendër të vizionit “Amerika e Para”, duke e konsideruar si një mundësi për të forcuar rolin e SHBA-së në garën globale për hapësirën.

Urdhri ekzekutiv i nënshkruar në fund të vitit parashikon rikthimin e astronautëve amerikanë në Hënë deri në vitin 2028 dhe ngritjen e një baze të përhershme deri në vitin 2030. Objektivi afatgjatë është që ky hap të shërbejë si trampolinë për misione drejt Marsit.

Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, ka theksuar se misioni nuk ka vetëm vlerë simbolike, por synon vendosjen e një pranie të qëndrueshme në Hënë. Ai ka paralajmëruar për konkurrencën e fortë me Kinën në fushën hapësinore, duke nënvizuar se SHBA nuk mund ta “humbasë” më këtë garë.