Analisti thotë se bastisja në banesën e tij dhe hetimi ndaj tij janë të motivuara politikisht.
Analisti Shkëlzen Gashi ka reaguar pas bastisjes në banesën e tij nga autoritetet e drejtësisë, duke thënë se gjatë aksionit i janë konfiskuar telefoni personal dhe laptopi.
Reagimi i tij është publikuar nga aktivisti Rron Gjinovci, i cili tha se postimi paraqet qëndrimin e Gashit, pasi pajisjet e tij elektronike janë sekuestruar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas Gashit, rreth orës 14:30 dy persona me veshje civile kishin trokitur në mënyrë të ashpër në derën e banesës së tij, duke e bërë fillimisht të dyshonte se mund të ishte objekt sulmi për shkak të gjuhës së urrejtjes dhe ofendimeve që, sipas tij, ka marrë ditët e fundit.
Ai thotë se më pas në vendngjarje kanë arritur policë të uniformuar, të cilët e kanë njoftuar se personat civilë ishin kolegë të tyre dhe i kanë paraqitur urdhëresën e prokurorisë për bastisje.
Gashi pohon se gjatë bastisjes janë sekuestruar telefoni dhe laptopi i tij, si dhe një kopje e librit të tij “Masakrat në Kosovë” dhe disa shënime në letër që lidhen me ekspozitën e fundit.
Pas bastisjes, ai është shoqëruar për deklarim në Prokuroria Speciale e Kosovës, sipas urdhëresës së nënshkruar nga prokurori Bekim Kodraliu. Gashi thotë se është marrë në pyetje për rreth katër orë, pas së cilës është liruar.
Në reagimin e tij, Gashi e ka cilësuar rastin si “përndjekje politike” dhe ka shprehur zhgënjim ndaj institucioneve të drejtësisë, duke thënë se ato po përdoren për hakmarrje dhe sulme me motive politike.
Megjithatë, ai ka kërkuar falje nëse situata ka lënduar familjarët e viktimave të luftës dhe personat e prekur nga masakrat në Kosovë, duke theksuar se në ditët në vijim do të paraqesë argumentet e tij lidhur me pretendimet ndaj tij dhe punës së tij.
Postimi i tij i plotë:
Postimi në vazhdim është qëndrimi i Shkëlzenit, të cilit i është konfisku telefoni personal dhe laptopi nga Prokuroria Speciale e Kosovës:
Sot rreth orës 14:30, dy persona me veshje civile filluan me trokitë në derën e banesës time në mënyrë të ashpër. Duke pasë parasysh gjuhën e urrejtjes, sharjet, ofendimet dhe sulmet verbale të këtyre ditëve, isha i bindur se dikush kishte ardhë të më sulmojë. Menjëherë kam njoftuar miq të ndryshëm, të cilët u nisën drejt banesës time e të cilët njëkohësisht e lajmronin policinë. Fatmirësisht, në ato momente në banesë nuk ishin prezentë fëmijët e mi, të cilët do të ishin terrorizuar prej situatës.
Diku mbas njezet minutave vijnë edhe policë të uniformuar dhe vendosa me e hapë derën e banesës. Policët e uniformuar më njoftojnë që personat civilë janë kolegë të tyre. Më prezantuan dokumentin e urdhëresës së prokurorisë dhe filluan bastisjen e banesës. Ata shprehnin interesim për pajisjet e mia elektronike, telefonin dhe laptopin, paswordat e të cilëve m’i kërkuan e të cilat ua dhashë pa asnjë hezitim. Telefoni dhe laptopi u sekuestruan si prova të mundshme dhe, për çudinë time, edhe një kopje e librit Masakrat në Kosovë dhe disa shënime në letër me dorë për ekspozitën.
Me thënë të drejtën, situata m’u duk si andërr, ngase nuk mund të besoja që kjo po ndodh në shekullin XXI në vendin tim, të cilin unë e konsideroj demokracinë më të avancuar në Ballkanin Perëndimor dhe me të cilin jam shumë krenar.
Pas kësaj, policia kërkoi me shku me ta te Prokuroria Speciale për një deklaratë, siç urdhërohej në urdhëresën e nënshkruar nga prokurori Bekim Kodraliu.
Natyrisht, shkova me ta. Prokurorit i thashë sapo hyra që kjo është një përndjekje politike dhe s’ka asnjë lidhje me drejtësinë. Megjithatë, vendosa t’ia sqarojë me detaje çdo pretendim që ai mundej me pasë. Dhe ashtu ndodhi. Mbas 4 orësh përfunduan pyetjet e tij dhe m’u tha se jam i lirë të shkojë në shtëpi. Në fund e ftova prokurorin që, bashkë me njësitet e veta, të vijnë kurdo që kanë nevojë për informata lidhur me aktivitetet e mia.
Nuk mundem pa e thanë që jam i zhgënjyer me institucionet e drejtësisë, të cilat hapur po i përdorin mekanizmat institucionalë për hakmarrje dhe sulme me motive politike. Ndërkohë, ju falënderoj të gjithëve që jeni interesuar për mua këto orë. Po ashtu, edhe njëherë dua të shprehë keqardhjen për këtë situatë, e cila mund t’i ketë lënduar familjarët e viktimave dhe njerëzit e tjerë të prekur nga masakrat dhe lufta në Kosovë. Me keqardhje të sinqertë ju kërkoj falje për çdo shqetësim.
Por i lus të mos harrojnë që, përtej keqleximeve dhe keqkuptimeve, të cilat janë të mundshme e që jam shumë i interesuar t’i adresoj, ky sulm i organizuar ndaj meje, që filloi me rrjetet sociale, vazhdoi nëpër studio televizive e kulmoi në institucionet e (pa)drejtësisë, është dashakeqësi, është hakmarrje dhe luftë politike, të cilën familjarët e viktimave dhe njerëzit e prekur nga lufta nuk ia kanë borxh askujt.
Ditëve në vazhdim, kur ta vlerësoj që është koha e duhur, do t’i paraqes argumentet e mia lidhur me të gjitha pretendimet kundër meje dhe punës time, e të cilat, në kohën kur po shkruhet ky tekst, po vazhdojnë me ndodhë. Përpjekja për të vërtetën është misioni im, për të cilin jam angazhu dhe do të vazhdoj të angazhohem me përkushtim.