Burime të afërta me familjen Jashari i kanë bërë të ditur Gazetës Minuti se kjo familje mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të mos u përfshirë në politikë dhe për të mos propozuar asnjë kandidat për postin e presidentit.
Sipas këtyre burimeve, familja simbol e rezistencës në Kosovë vlerëson se roli i saj duhet të mbetet jashtë zhvillimeve politike ditore, duke ruajtur një qëndrim të njëjtë që ka mbajtur ndër vite.
“Qëndrimi i familjes është i qartë dhe nuk ka ndryshuar. Nuk duam të jemi pjesë e politikës dhe nuk do të kemi kandidat për president”, ka thënë një burim brenda familjes për Gazetën Minuti.
Mësohet se i fundit që ka kërkuar publikisht që një përfaqësues nga familja Jashari të propozohet për president ka qenë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri. Megjithatë, kjo kërkesë nuk ka gjetur mbështetje nga vetë familja.
Ky qëndrim pritet të ndikojë në zhvillimet politike rreth zgjedhjes së presidentit, në një kohë kur emra të ndryshëm po qarkullojnë në skenën politike, por familja Jashari vazhdon të qëndrojë jashtë këtyre diskutimeve.