Rajoni mund të përballet me një kolaps serioz në transportin e mallrave duke filluar nga nesër, pasi transportuesit nga Bosnia dhe Hercegovina kanë paralajmëruar protesta masive për shkak të kufizimeve të qëndrimit për shoferët profesionistë në zonën Shengen, raporton Radio Sarajevo.
Sipas njoftimeve, bllokadat do të nisin në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të përfshijnë pikat kryesore kufitare për automjetet e transportit të mallrave, përfshirë edhe ato drejt Serbia, çka mund të shkaktojë kolona të gjata dhe vonesa në transport.
Shoqatat e transportuesve reagojnë ndaj, siç thonë ata, trajtimit të padrejtë të shoferëve nga Ballkani Perëndimor, të cilëve u vështirësohet kryerja normale e detyrave të punës për shkak të kufizimeve në Shengen.
Në një deklaratë të përbashkët, “Konsorciumi i Logjistikës i BiH” thekson se protestat nuk janë të papritura, por rezultat i më shumë se një viti përpjekjesh të pasuksesshme për zgjidhjen e problemeve përmes institucioneve.
Ata shtojnë se për 14 muaj kanë marrë pjesë në takime, kanë dhënë propozime dhe kanë pritur zgjidhje konkrete, por pavarësisht premtimeve të shumta nga institucionet përgjegjëse, asnjë nga problemet kyçe nuk është zgjidhur në praktikë.
Duke pasur parasysh bllokadat e paralajmëruara, ekziston rrezik serioz për ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe presion shtesë mbi ekonominë në të gjithë rajonin.