Ymeri i dërgon mesazh VV-së: Gaboni nëse mendoni që Kurti s’do të jetë kryetar

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka komentuar deklaratat e Kurtit gjatë kësaj jave në lidhje me pikëpyetjet e rikandidimit për kryetar të LVV-së.

“Unë mendoj se kjo të jetë dhe duhet të jetë. Kurti vazhdon të jetë njeriu më i popullarizuar i Lëvizjes Vetëvendosje. Popullariteti dhe efekti elektoral i tij është shumë përtej organizatës. LVV do të kishte bërë gabim nëse nuk do të kishte Kurtin në krye”.

Ymeri ka folur për ndryshimin që sipas tij ka pësuar kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Ai ka thënë se Kurti, për të fshehur diçka që nuk është domosdoshmërisht e keqe siç është marrëveshja për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve të 2013, është duke përdorur “fjalor të sofistikuar të gjuhës shqipe”.

“Problemi me i madh është se jemi në një fazë të ligjërimit e të retorikës, duke e dërguar gjuhen shqipe deri në nivelin më të lartë të sofistikimit për të maskuar diçka që është e dukshme”, ka thënë Visar Ymeri në Debat Plus.

Për Ymerin gjëja më e çuditshme, është pse Lëvizja Vetëvendosje nuk e pranon që Kurti ka ndryshuar, ku sipas tij dihet që kjo ka ndodhur.

Tutje ai ka thënë se është normale ndryshimi i politikanëve sepse sipas tij është e kuptueshme që nuk mund të jetë qëndrimi i politikanit i njëjtë si atëherë kur është ne pushtet si atëherë kur është në opozitë.

Në vitin 2010, sipas Ymerit, në Lëvizjen Vetëvendosje kishin vendosur që të shtonin një metodë të re, ku Lëvizja Vetëvendosje, “do të merrnin pjesë në Kuvendin e Kosovës për të luftuar për të njëjtat çështje, pa ndryshuar asnjë nga qëndrimet që i kishim po për të krijuar një mundësi të re të luftës politike”.

Ymeri ka shtuar se Kurti në pushtet nuk e ka aplikuar një metodë shtesë siç kishte bërë sa kishte qenë në opozitë.

“Kurti ka ndryshimi dhe për çështjet të cilat i ka luftuar, siç janë marrëveshja për energjinë dhe për targat, dhe në raport me dialogun ”, ka shtuar ai.

Ish-kryetari i LVV-së ka përfunduar duke thënë se Albin Kurti, ka pasur pretendime të bënte ndryshime shoqërorë por tani nuk e përmend transformimin shoqëror nëpërmjet taksës progresive, sikurse në të kaluarën.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, njëherit kryetar i LVV-së nuk e ka bërë të ditur nëse do të jetë sërish kandidat për kryetar të subjektit që ai e drejton.

Ai ka thënë se fjalën e tij do ta thotë pas katër javëve, kur edhe do të hapet afati për shpalljen e kandidaturave për kryetar të LVV-së.