Pse ndodhi “çarja” me Vjosa Osmanin, kjo është përgjigja e Mimoza Kusari-Lilës

Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues, thotë kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Ajo është e bindur se një gjë e tillë do të konfirmohet edhe nga Gjykata Kushtetuese, madje shton se për zgjedhjen e presidentit duhet pritur afatin 60-ditor, pasi në seancën e 5 marsit vetëm kanë nisur procedurat.

Kusari-Lila: Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues

“Tashmë kjo masë është në fuqi. U nënkuptua që procedura e shpalljes së dekretit, ende pa u ezauruar në tërësi mundësia për zgjedhjen e presidentit të vendit apo presidentes, nuk u shfrytëzua, prandaj masa ishte dhe besoj se ka qenë e nevojshme, e domosdoshme, por gjithsesi që uroj që në aktgjykimin final të konfirmohet se dekreti nuk është valid për faktin se procesi nuk ka filluar dhe nuk është përmbyllur”, deklaron ajo.

Kusari-Lila, e cila është Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, thotë për KosovaPress se mungesa e kuorumit në seancën e 5 marsit për presidentin ka krijuar konfuzion në raport me përgjegjësitë e deputetëve. Sipas saj, duhet të ketë një vendimmarrje nga Kushtetuesja edhe në këtë drejtim, pasi kërkesa i është drejtuar nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.