Kurti me dy emra të rinj për President

Sipas burimeve të Gazeta Minuti, kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kreu i Albin Kurti është duke bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit të vendit, një proces që kërkon mbështetje më të gjerë politike në Kuvend.

Burimet bëjnë të ditur se gjatë ditëve në vijim Kurti pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të partive opozitare, me synimin që të arrihet një kandidat i pranueshëm për shumicën e spektrit politik. Në këto takime, sipas informatave, kreu i Lëvizja Vetëvendosje mund të propozojë të paktën edhe dy emra të rinj për president konsensual.

Kjo lëvizje vjen vetëm pak kohë pasi në skenën politike u përmendën edhe dy emra të tjerë nga radhët e Vetëvendosjes, përkatësisht kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe deputetja Fatmire Kollçaku, të cilët u caktuan si kandidatë të mundshëm për postin e presidentit, por që asnjëri nuk i kishin votat javën e kaluar me ç’rast senaca u pezullua deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Megjithatë, sipas burimeve të njëjta të Gazeta Minuti, për të shmangur një përplasje politike dhe për të rritur gjasat për konsensus, Kurti mund të hedhë në tavolinë edhe dy alternativa të tjera që vlerësohen si figura më të pranueshme për një pjesë të opozitës.

Emrat që përmenden në këtë kontekst janë biznesmeni dhe veprimtari i diasporës Harry Bajraktari dhe analisti politik Blerim Shala.

Sipas burimeve të Gazeta Minuti emri i Bajraktarit po përmendet për shkak të raporteve të tij të mira me faktorë të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që sipas disa vlerësimeve mund të shihet si një avantazh në raportet ndërkombëtare të Kosovës.

Në anën tjetër, Shala konsiderohet si një figurë që e njeh mirë politikën e brendshme të Kosovës, proceset institucionale dhe veçanërisht dialogun Kosovë–Serbi, pasi ka qenë për shumë vite pjesë e proceseve politike dhe analitike në vend. Po ashtu, ai shihet nga disa qarqe politike si një kandidat potencialisht më i pranueshëm për partitë opozitare.

Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar nga zyra e kryeministrit Albin Kurti lidhur me këto emra apo me strategjinë e re për zgjedhjen e presidentit.

Procesi i zgjedhjes së presidentit në Kosovo kërkon vota të mjaftueshme në Kuvend, prandaj arritja e një marrëveshjeje mes pozitës dhe opozitës konsiderohet thelbësore për të shmangur një krizë të re politike në vend.

Sipas burimeve të Gazeta Minuti, takimet e ardhshme mes krerëve politikë pritet të jenë vendimtare për të parë nëse ndonjëri nga emrat e përmendur do të marrë mbështetje më të gjerë dhe do të shndërrohet në kandidat konsensual për postin e presidentit.