Gjykata Kushtetuese del me njoftim për dekretin e Vjosa Osmanit

Gjykata Kushtetuese po shqyrton kërkesën e Kurtit ndaj dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës është duke e proceduar kërkesën e kryeministrit Albin Kurti lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Ky institucion tashmë ka ndërmarrë hapat procedurale për shqyrtimin e rastit, ndërsa më herët kishte vendosur edhe një masë të përkohshme, e cila lidhet me trajtimin e kësaj çështjeje deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, ka bërë të ditur se procesi është ende në zhvillim dhe se palët e përfshira në këtë rast kanë pasur afat për të paraqitur komentet dhe qëndrimet e tyre.

Ai sqaroi se afati për dorëzimin e komenteve nga palët e interesit tashmë po përfundon.

Kjo lëndë është duke u proceduar. Afati për dorëzimin e komenteve nga palët e interesit në këtë rast përfundon më 11 mars 2026”, deklaroi Dula për RTV21.

Rasti lidhet me kërkesën e kryeministrit Kurti për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, një çështje që ka nxitur debat të madh politik dhe institucional në vend.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimet politike dhe institucionale, pasi do të sqarojë nëse dekreti presidencial për shpërndarjen e Kuvendit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës apo jo.

Aktualisht, pas përfundimit të afatit për dorëzimin e komenteve nga palët e interesit, Gjykata Kushtetuese pritet të vazhdojë me fazat e tjera të shqyrtimit të lëndës, para se të marrë një vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje.