Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri, denoncoi shpifjet që, sipas tij, po bëhen kundër presidentes, Vjosa Osmani.
Në një postim në Facebook, ai tha se ekziston një fushatë e organizuar kundër Vjosa Osmani.
Duke cituar Fan S. Noli, Tahiri shkroi: “Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor.”
Ai shtoi se kjo shprehje u tha rreth një shekull më parë për të përshkruar “anarkinë patriotike te shqiptarët”.
“Të njëjtën histori po e shohim sot me fushatën e organizuar me shpifje kundër Presidentes Vjosa Osmani,” shkroi Tahiri.
“Fushata e organizuar kundër Presidentes duhet të ndalet,” përfundoi.