Deri më 4 mars, pra jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Parlamenti i Kosovës duhet të zgjedhë presidenten apo presidentin e vendit.
Për të garuar për postin e Presidentit, një kandidati i nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve. Ndërkaq, për t’u zgjedhur, kërkohen dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës, i cili ka 120 deputetë.
Kuorumi arrihet me 80 deputetë të pranishëm. Nëse në dy raundet e para të votimit kandidati nuk i siguron 80 vota, atëherë në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Dështimi eventual i zgjedhjes së Presidentit do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Deri më tani, përpos Vjosa Osmanit, e cila nuk dihet nëse i ka siguruar votat për mandat të dytë, partitë parlamentare nuk kanë propozuar ndonjë emër tjetër, por as nuk kanë shprehur mbështetje të hapur për kandidaten aktuale.
Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur. Ai theksoi se PDK nuk do të mbështesë kandidatura që nuk reflektojnë unitetin sipas frymës kushtetuese.
Ndërkohë, kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se vendi ka dy rrugë përpara: një konsensus të gjerë parlamentar për një emër të përbashkët ose një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse. Sipas tij, nëse asnjëra prej këtyre nuk realizohet, zgjedhjet e reja do të jenë të pashmangshme – një skenar që ai e konsideron të panevojshëm në këtë moment.
Ndërsa partia që udhëheq me vendin, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka dalë me një emër konkret për president, duke lënë të hapur mundësinë që opozita të propozojë një kandidat që mund të sigurojë shumicën e nevojshme.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se Vjosa Osmani ka pasur një performancë shumë të mirë gjatë mandatit si presidente, por ka theksuar se për rizgjedhjen e saj nevojiten së paku 80 vota në Kuvend.
Duke folur për mundësinë e kandidimit të saj në “Debat Plus”, ajo u shpreh se të gjithë janë dëshmitarë të përfaqësimit që Osmani i ka bërë Kosovës.
“Të gjithë jemi dëshmitarë se Vjosa Osmani gjatë përfaqësimit që i ka bërë Kosovës si presidente e vendit, ka pasur një performancë shumë të mirë. Por po ashtu e dimë të gjithë se për të qenë presidente duhet pasur votat e së paku 80 deputetëve në raundin e parë dhe të dytë. Në këtë pikë është tejet e rëndësishme që me partitë tjera ta përmbyllim suksesshëm këtë proces dhe vendi të vazhdojë funksionimin me institucione të cilat janë në kompetencë të plotë”, u shpreh ajo.
Nagavci potencoi se aktualisht ekziston një konsensus për 66 vota.
“Aktualisht ne kemi 66 vota për të cilat kemi një konsensus, kemi kompromis dhe nuk do të kemi dilema për këto vota për presidentin. Por duhen edhe së paku 14 vota të sigurta në mënyrë që të vazhdojmë tutje. Duhet të sigurohemi që Vjosa Osmani i ka 80 vota”, deklaroi ajo.
Sipas saj, në zgjedhjet e fundit LVV ka garuar për qeveri, pasi posti i presidentes ka qenë në mandat të plotë, ndërsa në vitin 2021 kishin synuar bashkërisht edhe pozitën e presidentit.
Duke parë zhvillimet deri më tani dhe në rast të dështimit eventual të sigurimit të kuorumit për zgjedhjen e presidentit, Kosova rrezikon të përballet me zgjedhje të reja parlamentare.
Megjithatë, zgjedhjet e reja nuk janë skenar i analistit Nexhmedin Spahiu.
Spahiu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se nuk do të ketë zgjedhje të reja.
“Jo, nuk do të shkohet në zgjedhje. Thjesht, VV do ta votojë ose kandidatin që e propozon PDK-ja, ose atë që e propozon LDK-ja”, deklaron Spahiu.
ImageNexhmedin SpahiuFoto galeri
Ai thekson se kjo është mënyra më e mundshme për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
“Në këtë mënyrë do të sigurohen votat e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit dhe do të shmanget një krizë e panevojshme institucionale. Një qasje e tillë do të nënkuptonte kompromis politik dhe përgjegjësi shtetërore, duke i dhënë përparësi stabilitetit të vendit para kalkulimeve partiake”, përfundon analisti.
Në këto rrethana, gjithçka mbetet të shihet në ditët në vijim, teksa afati kushtetues po afrohet. Presioni mbi partitë parlamentare po rritet, ndërsa publiku pret një zgjidhje që do të garantonte stabilitet institucional dhe shmangien e një procesi të ri zgjedhor.