Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se Murat Jashari, i cili vjen nga familja e Adem Jasharit, do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur për president të vendit.
Ai kështu u shpreh teksa po mban fjalën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, që po mbahet në këto momente, ku po flet për çështjen e presidentit të vendit, raporton Klankosova.tv
“Jam shumë i vetëdijshëm që Lëvizja Vetëvendosje e vetme nuk i ka numrat, nuk i ka 80 vota. Për këtë menjëherë kam vendosur kontakte me dy liderët e partive më të mëdha opozitare, në mënyrë që të diskutojmë për mënyrat e tejkalimit të kësaj sfide në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme. Takimet kanë qenë konstruktive. Fillimisht ka qenë një pajtueshmëri që vendi ka nevojë për një figurë unifikuese. Një figurë e tillë, e padiskutueshme për të gjithë, sigurisht që do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë si ajo e profesorit, një personalitet si Murat Jashari, do të kishte mbështetjen e të gjitha partive politike”, tha Kurti./Klankosova.tv