Halil Geci vjen me deklaratë të rëndë për Thaçin, kështu e quan

Halil Geci ka reaguar pas raportimit të gazetës zvicerane LeCanton27, e cila ka publikuar zhvillimet më të fundit nga Zyra e Prokurores së Specializuar në Hagë lidhur me hapjen e gjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe bashkakuzuarve të tij për pengim të administrimit të drejtësisë.

Sipas raportimit, Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, në deklaratën e saj hyrëse ka theksuar se Thaçi dhe të tjerët kanë shkelur vendime gjyqësore të hartuara për të garantuar që dëshmitarët dhe viktimat të mund të dëshmojnë lirshëm, pa frikë dhe pa presion.

Në reagimin e tij, Halil Geci ka thënë se ky proces është dëshmi se drejtësia nuk kursen askënd dhe se sundimi i ligjit nuk mund të zëvendësohet me ndikim politik apo pasuri.

“Drejtësia nuk funksionon me emocione, as me pasuri dhe as me zhurmë politike. Drejtësia funksionon vetëm me fakte, prova dhe ligj”, ka deklaruar Geci.

Ai ka shtuar se sipas aktakuzës, Hashim Thaçi akuzohet se në mënyrë të përsëritur dhe sistematike ka tentuar të ndërhyjë në dëshmitë e dëshmitarëve, duke dhënë udhëzime për mënyrën e dëshmimit dhe duke shkelur urdhra gjyqësorë që kishin për qëllim mbrojtjen e informacionit konfidencial.

Sipas tij, edhe bashkakuzuarit – Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi – akuzohen për pjesëmarrje në këto veprime të kundërligjshme.

Geci ka theksuar se në mesin e provave të paraqitura nga Prokuroria përfshihen audio-incizime të autorizuara nga gjykata, prova elektronike nga pajisje të sekuestruara si dhe dokumente të konfiskuara në banesat e disa prej të akuzuarve.

“Askush nuk është mbi ligjin. Ligji vlen për të gjithë njësoj dhe secili është përgjegjës para tij”, ka cituar ai deklaratën e Prokurores.

Në fund, Halil Geci ka kritikuar ata që, sipas tij, përpiqen ta paraqesin këtë proces si sulm politik, duke theksuar se drejtësia nuk është çështje emocionesh apo propagande, por çështje faktesh dhe provash konkrete.

Sipas tij, ky rast duhet të shërbejë si mësim se vëzhgimi dhe hetimi për vepra penale ndodhin edhe jashtë burgut dhe se përgjegjësia për veprimet e së kaluarës nuk mund të shmanget.