Familja Jashari nga Prekazi i Drenicës ka shprehur solidaritet dhe përkrahje për marshin e thirrur më 17 shkurt me moton “Drejtësi, jo politikë”.
Lajmi bëhet i ditur sipas burimeve të Gazeta Minuti të afërta me familjen Jashari.
Sipas këtyre burimeve, qëndrimi i familjes vjen në mbështetje të kërkesës për drejtësi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me akuza nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Kujtojmë se edhe Bekim Jashari kishte reaguar disa ditë më parë, duke kundërshtuar akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe politike.
Marshi i 17 shkurtit ka marrë përkrahje të gjerë politike dhe qytetare.
Në mesin e figurave që kanë shprehur publikisht mbështetje janë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, si dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti.
Po ashtu, protestën e kanë përkrahur edhe partitë opozitare në Kosovë, me përjashtim të LDK-së, partitë shqiptare në Shqipëri, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, si dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, së bashku me shumë figura të tjera të Lëvizjes Vetëvendosje.
Marshi “Drejtësi, jo politikë” pritet të mbahet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, si shenjë solidariteti me ish-krerët e UÇK-së dhe në kërkim të një procesi të drejtë dhe të paanshëm gjyqësor.