Imazhet e publikuara nga NASA-s, po vlerësohen të rëndësisë së veçantë nga njohësit e fushës në Kosovë.
Sipas Rasim Bejtullahut, pamjet janë më të saktat sepse kanë zbërthim të jashtëzakonshëm, e identifikojnë miliarda galaktika në një pjesë të vogël të gjithësisë.
Sipas tij, ndikimi i shkrepjeve të marra nga teleskopi hapësinor James Web, do të vërehet edhe në shkencë, meqë duken objekte që nuk janë parë deri sot, e që kjo do ndikojë në ndërtimin e shëmbëllimit shkencor për gjithësinë, njofton Klan Kosova.
Edhe sipas studentit të fizikës, Bujar Mehmeti, i cili në këtë fushë po merr mësime në Hungari, pas këtyre imazheve teoritë nuk do të mbesin vetëm si publikime shkencore, por mund të ju jepet edhe përgjigje pyetjeve që deri tashmë ishin enigmatike, sidomos në kozmologji.
Imazhi i parë me ngjyra të kozmosit i marrë nga teleskopi u zbulua nga presidenti amerikan Joe Biden, e më pas publike u bënë edhe disa shkrepje tjera.