E KONFIRMON SHKENCA: SHQIPTARËT DHE GJUHA SHQIPE, AUTOKTONË PREJ 6 MIJË VITESH

Shqiptarët dhe gjuha shqipe janë ndër popujt më të lashtë të Europës, me një histori që shkon të paktën 6 mijë vite pas në kohë. Ky përfundim nuk vjen nga narrativa kombëtare, por nga shkenca moderne.

 

Sipas një studimi prestigjioz të publikuar në revistën amerikane Science, i firmosur nga 33 shkencëtarë të universiteteve më të njohura në botë, populli shqiptar dhe gjuha shqipe konsiderohen autoktonë në këto troje që nga lashtësia.

Studimi nxjerr në pah se shqipja është një nga tre gjuhët më të vjetra indo-evropiane që fliten ende sot, krahas greqishtes dhe armenishtes. Në analizë theksohet se gjuhët indo-evropiane kanë lindur rreth 8 mijë vite më parë, ndërsa degët e tyre më të hershme janë ruajtur pikërisht në këto zona të Ballkanit dhe Kaukazit.

 

Për herë të parë, kërkimi nuk është mbështetur vetëm në analiza gjuhësore kompjuterike, por edhe në studime të ADN-së, të cilat kanë konfirmuar vjetërsinë e popullsisë dhe vazhdimësinë e saj në këto troje, duke forcuar lidhjen mes popullit dhe gjuhës shqipe.

 

Gjatë studimit janë analizuar 52 gjuhë historike dhe 109 gjuhë moderne, çka ka çuar në rishikimin e teorive të mëparshme mbi origjinën e gjuhëve indo-evropiane. Sipas rezultateve, origjina fillestare e tyre lidhet me jugun e Kaukazit, ndërsa shqipja përfaqëson një degë shumë të hershme që ka mbijetuar deri sot.

Kampioni i përzgjedhur për studim përfaqëson një bazë të re të dhënash shkencore, duke përjashtuar mospërputhjet dhe pasaktësitë e studimeve të vjetra. Edhe pse debati mbi lashtësinë e gjuhëve pritet të vijojë, ky publikim përbën një zë të fortë dhe të argumentuar shkencërisht mbi prejardhjen dhe vazhdimësinë e gjuhës shqipe.