“Nuk po thotë se të akuzuarit në Hagë janë të pafajshëm” – çka shkroi Kurti pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënim me burgim prej 45 vjet

“Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte” – kjo është ndër fjalitë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti në reagimin e tij të vonshëm ndaj Prokurorisë Speciale të Hagës, shkruan Periskopi.

 

Kurti, përmes një shkrimi në Facebook, e ka cilësuar këtë kërkesë si “të pabazuar në standardet ndërkombëtare dhe si një përpjekje për ta gjykuar luftën jashtë realitetit të saj historik”.

Duke u ndalur specifikisht te pretenca e Prokurorisë për kërkesën për dënim ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, Kurti tha se ky proces po tenton të krijojë një realitet artificial juridik.

 

Kryetari i VV-së, në asnjë rresht nuk përmendi emrin e ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë këtu edhe ish bashkëshpartiakun e tij, Rexhep Selimi.

Gazetari, Vehbi Kajtazi ka elaburuar, reagimin e Kurtit, duke thënë se ky i fundit  “po e mbron luften e UÇK-së, njësoj sic e “mbron” Prokuroria në Hagë”.