Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, i ka dedikuar një shkrim relativisht të gjatë mërgimtarëve, të cilët kanë nisur të vijnë masivisht në Kosovë këto ditë.
Abazi, duke u dëshiruar mirëseardhje mërgimtarëve, ka thënë se vizitat e tyre kanë rëndësi të madhe, duke thënë se ata janë pjesa më vitale e kombit dhe shtetit.
“Të dashur qytetarë nga diaspora, mirë se vini në vendin dhe tokën tuaj! Çdo pushim dhe çdo ardhje në Kosovë ka rëndësinë që është e vështirë të vlerësohet mjaftueshëm. Por po u siguroj që ju jeni pjesa me rëndësishme dhe më vitale e kombit dhe shtetit tonë dhe që jeni në prioritet të bisedave, diskutimeve dhe në gadishmëri për të ndihmuar dhe përkrahur sa herë që keni nevojë”, ka shkruar ai.
Shkrimi i gjatë i Abazit ka vazhduar me një përshkrim historik të dyndjes së kosovarëve drejt rrugëve të perëndimit. Ai ka thënë se duke qenë të pavarur nga politika dhe skemat e varësisë, mërgimtarët janë bërë promotor i ndryshimit në Kosovë.
“Ju keni marrë rrugët e botës të përndjekur nga regjimi i Serbisë apo pas luftës për një jetë me propseritet për ju dhe familjet tuaja. Rrjedhimisht ju jeni bërë shtylla e qëndrueshmërisë dhe rezistencës paqësore dhe luftës për liri dhe çlirim nga pushtuesi, dhe përkrahës dhe ndërtues direkt të shtetit dhe ekonomisë por edhe ndryshimit të madh në evolucionin e vazhdueshëm politik dhe avancimit të demokracisë në vend, pas luftës. Duke qenë të pavarur nga politika dhe skemat e varësisë, ju keni qenë të pavarur dhe nga trysnitë e pushteteve dhe rrjedhimisht jeni shëndrruar në promotorët e ndryshimit edhe në Kosovë. Andaj me krah-hapur e me zemër plotë ju dëshiroj pushime dhe qëndrim të këndshëm në tokën dhe shtetin tuaj! Në fazën ku jemi tani, diaspora duhet që me kujdes të analizoj mundësitë për investime dhe nisma biznesore apo bashkim të kapitalit për të qenë hisedarë dhe investitorë në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme por pse jo edhe të mëdha”, ka vazhduar ai.
Ai ka thënë se dashuria dhe kontributi që kani dhënë mërgimtarët, duhet të përkthehet në një lidhje të fortë dhe të qëndrueshme e afatgjatë për të mbetur pronaret e shtetit dhe proceseve jetike vend.
“Askush nuk duhet hezituar që të kthehet me idetë, kulturën e punës, ekspertizën dhe rrjetet e krijuara gjatë qëndrimit në mërgatë. Këtu nuk është “kopsht me lule” por këtu është vendi që mund të bëhet dhe të vazhdoje historia jonë, nëse e respektojmë amanetin e të parëve dhe atyre që dhanë gjithçka që kjo tokë të flet në gjuhën e ëmbël shqipe përgjithmonë! Ju faleminderit e paçit gëzime dhe shëndet! Haki Abazi, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë”, ka theksuar në fund Abazi.