Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kushton një analizë kritike presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e paraqitur atë si një aktore politike që, përballë mungesës së mbështetjes së brendshme, po kërkon të sigurojë rizgjedhjen përmes afërsisë demonstrative me Donald Trump. Sipas gazetës, kjo qasje nuk zhvillohet në vakum. Në sfond shfaqet edhe roli i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili, përmes lidhjeve të tij me rrethin e Trumpit, dyshohet se ka lehtësuar afrimin e Osmanit me presidentin amerikan, duke e përdorur këtë si pjesë të rivalitetit të tij të hapur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Shkrimi i plotë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po përpiqet të sigurojë një mandat të dytë duke u rreshtuar publikisht krah Trump. Kjo strategji, megjithatë, mund të prodhojë efekt të kundërt edhe pse ajo arriti ta përfshijë Kosovën në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes” i Donald Trump në Davos.
Osmani u shfaq në Zvicër përkrah presidentit amerikan dhe më pas e paraqiti këtë si një arritje të madhe, duke theksuar se Kosova u bë anëtare themeluese e këtij mekanizmi. Sipas burimeve jozyrtare në Prishtinë, ajo e mori këtë hap pa u konsultuar me kryeministrin Albin Kurti. Në vend të tij, ndërmjetësimin dyshohet se e bëri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Rama ka ndërtuar lidhje me familjen Trump pasi i dha dhëndrit të presidentit amerikan, Jared Kushner, një kontratë për një projekt shumë miliardë dollarësh të pasurive të paluajtshme në bregdetin shqiptar. Rama ka marrëdhënie aspak të mira me Kurtin, politikanin më popullor ndër shqiptarët e Ballkanit, dhe sipas burimeve politike, ai shfrytëzon çdo rast për të forcuar Osmanin si kundërpeshë ndaj tij.
Ajo po luan lojën e saj
Mandati i Osmanit përfundon në mars. Ajo kërkon një mandat të dytë dhe ka nevojë për votat e Kuvendit të Kosovës, i cili zgjedh presidentin. Këtë mbështetje ajo nuk e ka. Gjatë viteve të fundit, Osmani nuk ka arritur të ndërtojë një bazë të qëndrueshme parlamentare. Në Prishtinë, ajo përshkruhet si figurë e vështirë në marrëdhënie personale. Disa bashkëpunëtorë të afërt, përfshirë ish-shefin e kabinetit Blerim Vela, u larguan shpejt nga rrethi i saj.
Për të kompensuar mungesën e mbështetjes së brendshme, Osmani prej javësh po përpiqet të paraqitet si “kandidatja e Trump”. Llogaritja e saj mbështetet te pesha historike dhe aktuale e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, nga baza ushtarake Bondsteel në jug të vendit deri te roli vendimtar i SHBA-së në krijimin e shtetit. Sipas një burimi me lidhje të forta në Prishtinë, Osmani u përcjell deputetëve mesazhin se gëzon mbështetjen e rrethit të ngushtë të Trumpit dhe se mosrizgjedhja e saj mund të sjellë pasoja në marrëdhëniet me Uashingtonin.
Pa SHBA-në, shteti i Kosovës nuk do të ekzistonte
Një llogaritje e tillë mund të kishte funksionuar vite më parë. Respekti i kosovarëve për SHBA-në mbetet i jashtëzakonshëm. Ndërhyrja e NATO-s e udhëhequr nga amerikanët në vitin 1999 i dha fund kontrollit serb mbi Kosovën. Edhe shpallja e pavarësisë në vitin 2008 u bë e mundur vetëm me mbështetjen amerikane. Kosovarët mbeten thellësisht pro-amerikanë. Por ata janë gjithashtu të vetëdijshëm se Uashingtoni i Donald Trump nuk është më Uashingtoni i Bill Clintonit apo George W. Bushit.
Kjo u dëshmua në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit, kur Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje fituan 51.1 përqind të votave. Zgjedhjet u zhvilluan pa parregullsi serioze dhe rezultati u pranua menjëherë nga opozita. Mbështetja e diasporës luajti rol, por nuk ishte faktori i vetëm përcaktues.
Suksesi i Kurtit pavarësisht përplasjes me Trumpin
Dominimi i Vetëvendosjes ka rëndësi të veçantë sepse marrëdhënia e Kurtit me Trumpin është e tensionuar. Kurti mbështeti publikisht Joe Biden gjatë fushatës amerikane dhe mori pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago në vitin 2024. Pas rikthimit të Trumpit në pushtet, kjo u reflektua negativisht në raportet SHBA–Kosovë. Në shtator, administrata Trump pezulloi për një afat të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën. Ambasada amerikane në Prishtinë e përmendi Kurtin drejtpërdrejt, duke deklaruar se veprimet dhe deklaratat e tij kishin vënë në pikëpyetje progresin e arritur ndër vite.
Partitë opozitare e përdorën këtë gjatë fushatës, duke paralajmëruar se Kurti po rrezikonte marrëdhëniet me aleatin kryesor të sigurisë së Kosovës. Rezultati i zgjedhjeve tregoi se kjo retorikë nuk ka më ndikimin e dikurshëm. Një shumicë absolute e votuesve vazhdon t’i besojë Kurtit, i cili perceptohet si i ndershëm dhe i pakorruptuar.
Çfarë fiton Kosova nga “Bordi i Paqes” i Trumpit
Kjo e bën të pasigurt suksesin e manovrave të Osmanit. Në një intervistë për BBC-në, ajo mbrojti rëndësinë e anëtarësimit në “Bordin e Paqes”, duke kritikuar rolin e dikurshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe duke theksuar se vetëm ndërhyrja amerikane solli veprim konkret. Ajo deklaroi se Kosova beson në udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.
Osmani nuk iu përgjigj qartë pyetjes nëse Kosova do të paguante tarifën prej një miliard dollarësh që Trump kërkon për anëtarësim të përhershëm në këtë strukturë. Për një shtet me rreth 1.6 milionë banorë, kjo mbetet një çështje thelbësore.
Reagimet në Kosovë pas Davosit ishin të përziera. Shumë qytetarë dhe aktorë politikë theksuan se Kosova nuk mund të përballojë përplasje me Uashingtonin. Çdo kërcënim për tërheqjen e trupave nga Bondsteel shihet si rrezik ekzistencial për sigurinë e vendit. Përtej ndarjeve partiake, baza amerikane konsiderohet garanci kundër një rikthimi të ushtrisë serbe.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, kërcënimi për mbylljen e Bondsteel u artikulua hapur pasi Kurti kundërshtoi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga i dërguari special Richard Grenell. Qeveria e parë e Kurtit u rrëzua në këtë klimë presioni. Për këtë arsye, disa zëra në Kosovë i shohin veprimet e Osmanit si realpolitikë.
Megjithatë, jo të gjitha veprimet e saj u pritën me mirëkuptim. Propozimi i bashkëshortit të saj, diplomatit Prindon Sadriu, për ta shndërruar ish “Grand Hotelin” e Prishtinës në një “Trump Hotel”, u bë objekt talljeje publike.
Lëvizje e sikletshme
Reagime edhe më kritike nxiti vendimi i Osmanit për të organizuar një pritje zyrtare për premierën në Prishtinë të dokumentarit “Melania”. Filmi u promovua si një portretizim i guximshëm i familjes presidenciale amerikane dhe i udhëheqjes së Melania Trump. Shumë kosovarë i cilësuan deklaratat e presidentes si të panevojshme ose servile.
Kritikat u shtuan për shkak të mospërputhjes me axhendën feministe të Osmanit, në një kohë kur dokumente të reja dalin nga arkivat e lidhura me Jeffrey Epstein. Regjisori i dokumentarit, Brett Ratner, ka pasur lidhje të dokumentuara me Epstein, çka e shtoi edhe më tej polemikën rreth kësaj nisme. /Pamfleti