400 euro dhoma më e lirë: Ky është hoteli super-luksoz në Greqi ku po qëndron Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndodhet prej më shumë se një jave në Greqi. Sipas medieve vendase ditët e fundit Kurti po kalon momente relaksuese në bregdetin e Lagonisit, 30 kilomentra në juglindje të Athinës. Kurti po merr pjesë bë simpoziumin “Symi”, ku kishte qenë edhe vitin e kaluar.

Edicioni i sivjetmë i simpoziumit, sikurse edhe vitin e kaluar, po mbahet në “Grand Resort Lagonissi”, një resort superluksoz, që cilësohet si “porta e parajsës”. Ky vend konsiderohet si një nga hotelet lidere në mbarë globin.

“I ndodhur në një gadishull privat prej 72 hektarësh në Rivierën Athinase me pamje mahnitëse të Gjirit Saronik, Grand Resort Lagonissi me 5 yje tejkalon të gjitha pritjet e një resorti veror luksoz”. Kështu përshkruhet ky hotel.

400 euro është dhoma më e lirë. Por, kjo vetëm për një person. Simpoziumi nisi të dielën dhe do të mbahet deri nesër (14 korrik).

Atje Kurti ishte edhe vitin e kaluar. Mes kritikash të shumta, Kurti kishte qëndruar atje ndërsa në Deçan ishte shpallur situatë emergjente për shkak të helmimit të mbi 500 qytetarëve, ndërsa dy kishin vdekur.

Qëndrimin e Kurtit “Grand Resort Lagonissi” vjet e kishte zbuluar ish kryeministri i Greqisë, George Papandreou, në një postim në Facebook.

Të martën e javës së kaluar, kryeministri Albin Kurti udhëtoi për në Greqi, për të marrë pjesë fillimisht në Tryezën e Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë. Gjatë qëndrimit atje, ai zhvilloi takime me përfaqësues të ndryshëm.

Siç njoftonte Zyra e Kryeministrit, Tryeza e Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë ishte arsyeja kryesore e vizitës. Kjo tryezë u organizua nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” me mbështetjen e Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian.

Pas kësaj ngjarje, Kurti po merr pjesë edhe në simpoziumin e 24-të “Symi”. Në margjinat e kësaj ngjarjeje, Kurti e takoi të martën emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.