Krasniqi: Vetëm në Mitrovicë s’u përputhen exit-pollet, vetëm aty u rrit dalja në votime në balotazh, KQZ shpalli “gabim teknik” pa hetim paraprak

Njohësi i çështjeve politike në vend, Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, ka deklaruar se rezultatet e raundit të dytë në Mitrovicë të jugut ngrenë dyshime të forta për manipulim të procesit zgjedhor.

Ai ka renditur disa nga faktet që sipas tij janë mjaft bindëse:

  1. Exit poll-i nuk përputhet me rezultatet zyrtare – vetëm në Mitrovicë.
  2. Pjesëmarrja më e madhe se në raundin e parë – ndër komunat e mëdha, vetëm në Mitrovicë.
  3. Kandidati i vetëm që ka marrë më pak vota se në raundin e parë – sërish vetëm në Mitrovicë.
  4. Fletëvotime të gabuara që nuk i përkasin vendvotimit.

Po ashtu ai tha se përveç fakteve zgjedhore, menaxhimi institucional ka qenë i papranueshëm.

  1. KQZ u ngut ta shpallë “gabim teknik” pa hetim paraprak.
  2. Kompania e shtypjes mori përgjegjësinë brenda pak orësh – pa asnjë verifikim serioz.
  3. Prokuroria u mjaftua me deklarata të kompanisë.
  4. Tenderi u dha si kontratë njëburimor, ndonëse kishte kohë të mjaftueshme për konkurrencë.
  5. Kompania ka lidhje të njohura me eksponentë të partisë në pushtet.
  6. Shteti dhe burimet publike janë keqpërdorur për qëllime elektorale – kush e përdor aparatin shtetëror për pushtet, mund ta përdorë edhe për vota.

Krasniqi deklaroi se Mitrovica duhet të shkojë në rivotim për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe demokracinë.

“Nëse e pranojmë këtë si “gabim teknik”, nesër asgjë s’do të garantojë që vota jonë vlen. Po bëjmë regres, për të mbrojtur diçka që e kishim tejkaluar: zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

Ndryshe lajmi dje ka raportuar se si për dallim nga komunat e tjera vetëm në jug të Mitrovicës në balotazh pati dalje më të madhe të votuesve.

Pra 2.86% më shumë ishte për qindja e daljes në votime krahasuar më 12 tetorin, apo njohur ndryshe si raundi i parë i zgjedhjeve.

Në Mitrovicë dyshohet për një “tren bullgar”, ku nga dyshimet e para u morë vendim që të ndalojë numërimi, por më pas prokurori Tmava mori vendim që të rivazhdojë sërish numërimi.

KQZ deklaroi se përgjegjësinë e gabimeve në numrat serik të fletëvotimeve e mori kompania “CETIS”.