Humbja në Fushë Kosovë, reagon Besnik Osmani

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Komunën e Fushë Kosovës, ka reaguar pas rezultatit në këtë komunë.

Osmani me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka reaguar duke falënderuar qytetarët për mbështetjen.

“Nga zemra ju falënderoj secilin prej jush që më qëndroi pranë në këtë rrugëtim të bukur e plot emocione. Kjo garë ishte më shumë se një proces zgjedhor – ishte një udhëtim bashkë me njerëzit që duan përparim dhe më shumë dashuri për komunën tonë”, deklaroi ai.

“Edhe pse nuk arrita të fitoj për ta udhëhequr Fushë Kosovën, ndihem thellësisht mirënjohës për përkrahjen, besimin dhe përkushtimin tuaj të sinqertë. Jam krenar për çdo aktivist, çdo familje dhe çdo qytetar që kontribuoi me shpirt e zemër”, vijoi shkrimin Osmani.

Komuna e Fushë Kosovës u fitua nga Valon Prebreza i LVV’së.