Kica-Xhelili mesazh Vjosa Osmanit: Mandatim pa numra nuk ka, le t’ua kërkojë VV-së listën e nënshkruar

Doarsa Kica-Xhelili, Nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka dalë me një ‘mesazh’ ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, në dritën e propozimit të ri të Vetëvendosjes për të dërguar mandatar për qeveri, Glauk Konjufcën.

Kica-Xhelili tha se “mandatim pa numra nuk ka” ndërsa kërkoi nga Osmani që të kërkojë dëshminë e votave prej 61 nga Vetëvnedosje.

Postimi i plotë:

Mandatim pa numra nuk ka.

Nëse Presidentja i beson pretendimit të VV-së për 61 vota, le t’i kërkojë publikisht listën e nënshkruar të deputetëve shtesë që nuk votuar herën e kaluar. Shumica është detyrim kushtetues për mandatim, jo opsion.

Nëse numrat mungojnë, Kushtetuta flet qartë: shpërndarja e menjëhershme e Kuvendit dhe zgjedhjet brenda 45 ditëve.

Çdo hap tjetër është sabotim i sovranitetit të votës dhe shpërblim për 8 muaj mashtrim publik të VV për numra që s’egzistuan kurrë!

Qytetarët meritojnë qeverisje, jo teatër demagogësh me sejmenë e servilë.