Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, u takuan në një lokal në Prishtinë, vetëm një ditë pas dështimit për formimin e qeverisë së re.
Pas takimit, Abdixhiku tha se bëhej fjalë për një kafe miqësore, ndërsa Limaj u shpreh shkurt se “është mirë kur na shihni bashkë”.
Këto dy parti, ishin ato që refuzuan të bënin koalicion qeverisës me LVV-në, derisa vendi po hyn në një fazë të ndjeshme, e me gjasë edhe me një palë zgjedhje të reja.
E në lidhje me prapaskenat e takimit Limaj-Abdixhiku, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.
Si fillim, ai tha se takimi ishte interesant, derisa tha se ai edhe shpërfaqi në fakt karakterin e tyre.
ImageProfesori Enver BytyçiFoto galeri
Përvveç kësaj, potencoi se Limaj, nga Haradinaj shkoi te Kurti, tani përfundoi te Lumiri, e që pas kësaj sigurt qëndron një skenar.
“Ishte shumë interesante të shihje takimin e fundit midis kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. dhe Fatmir Limajt në një bar në Prishtinë. Them se kishte një simfoni midis personave që u takuan dhe vendit ku ata u takuan. Njëkohësisht ishte edhe shpërfaqje e karakterit të tyre. Takim për marrëveshje në një lokal shërbimi në kryeqytet. Sikur nuk kishin zyra, salla, vende të posaçme ku ata të bisedonin nën ndriçimin e blicave të kamerave televizive!
Por ja që kështu e kishin paraparë skenarin. Ose se Lumiri donte të thoshte se kryetari i Mismës socialdemokrate me tre deputetë është miku i tij, por jo partner i denjë për të biseduar në ambjentet e zyrave të LDK-së. Këtë nuk mund ta them me siguri. Me siguri them atë se Fatmir Limaj ishte mizë te Haradinaj. Iku prej tij dhe shkoi te Albini. Haradinaj e kishte pranuar dhe ia garantoi 3 vende në parlament, duke ia hequr vetes edhe së paku nja tre vende tjera, që i kishte më parë. Me siguri që Ramushi është gëzuar shumë se Fatmiri iku prej tij dhe tani do të bashkëpunojë me Lumirin”, nënvizoi ai.
Mirëpo, Bytyçi konsideroi se Kurti nuk ra në kurthin e Limajt, pasi dihet se ky i fundit dikur ia bashkua Thaçit në projektin për ta ndarë Kosovën.
Sipas tij, kreu i LVV-së veproi mirë që nuk bëri kompromis me kryetarin e Nismës.
“Por Albin Kurti nuk ra në kurthin e Fatmir Limajt, që hiqet si “patriot i madh”, megjithëse iu bashkua dikur Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës. Ju kujtohet besoj kur Fatmiri kritikonte Albnin në qeverinë Kurti 1 pse nuk po i bashkohet Thaçit për të firmosur ndarjen e Kosovës. Kurti e njihte Fatmirin dhe e njeh mirë dhe nuk bëri kompromis me të. Ai nuk e refuzoi bisedën për bashkëpunim, por nuk e pranoi as ofertën e Limajt për ta kurorëzuar si numrin dy të shtetit. Dhe bëri mirë. As nuk doli si Lumiri e ta shiste takimin me Fatmir Limajn si sukses të madh. Kjo do të thotë se Albini nuk bën kompromis me parimet, ndërkohë që Lumir Abdixhiku e të tjerët nuk kanë kurrëfarë bezdie nga një marrëveshje e mundëshme me Fatmir Limajn. Ndoshta besojnë e mendojnë njësoj. Lumri është si Fatmiri dhe Fatmiri është si Lumiri!”, shtjelloi ai.
Më tej, profesori u shpreh se faktin që ky takim ndodhi vetëm një ditë pas dështimit të formimit të qeverisë Kurti 3 do të thotë shumë.
Në këtë pikë, ai përmendi dy skenare, ose Lumiri po lobon për t’i marrë 61 vota për t’u bërë kryeministër, ose është afruar me Limajn për një koalicion të mundshëm parazgjedhor.
“Takimi ndodhi vetëm një ditë pasiqë Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë qeverinë Kurti 3. Tani duhet hamendësuar ndoshta pse ndodhi ky takim pikërisht në këtë moment. Sepse momenti flet shumë gjithashtu. Për çfarë u bënë bashkë ata të dy? Për të mbledh forcat dhe për të krijuar një qeveri tjetër, me mandat të presidentes? Mos ndoshta Lumiri ka nis fushatën për të bërë 61 numra deputetësh për t’u bërë vetë kryeministër? Sepse edhe PDK, e cila e mbart këtë të drejtë, ka deklaruar se nuk është e interesuar për formimin e qeverisë. A mos ka në këtë rast një shkelje syri për Lumirin, që ky të nisë punën për të formuar qeverinë e re? Ky është varianti i parë.
Varianti i dytë ka të bëjë me një koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e reja që duhet të bëhen mesa shihet në dhjetor. Ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ndoshta LDK do të përpiqet të zgjerojë koalicionin e vet, me një synim për të dalë parti e parë dhe për ta fituar të drejtën e krijimit të qeverisë pas zgjedhjeve të ardhshme. Unë nuk i besoj këtij variantit të dytë, sepse nuk besoj që Abdixhiku u ngut kaq shumë për t’u takuar me Limën për një palë zgjedhje, të cilat akoma nuk janë përcaktuar. Përkundrazi, besoj se Lumir Abdixhiku do të përpiqet të bëhet kryeministër i Kosovës”.
Tutje, ai tha se është shumë problem që Abdixhiku të arrij t’i sigurojë 61 vota, për shkak të numrave që ka LDK.
Megjithatë, profesori beson se Abdixhiku nuk ka guxim të bëj pazare me Kosovën.
“Tani problemi është se cilat vota do të grumbullojë. Kush janë ata 61 e më shumë deputetë që do të pranojnë ta votojnë zotin Adixhiku për kryeministër. Ai ka 22 deputetë. I shtohen tre të Limajt e bëhen 25. Ta zemë se do të marrë edhe 19 deputetë të Listës Srpska dhe të partive të minoriteteve dhe bëhen 44. Duhen gjithashtu edhe 17 deputetë për ta votuar Lumir Abdixhikun si kryeministër. Ai mund të besojë se do i marrë këto vota nga Partia Demokratike e Kosovës. Dhe ja kështu Kosova bëhet me kryeministër të ri. Në fakt këtë sinjal për të përzgjedhur një kryeministër nga partitë e ish-opozitës e dha Memli Krasniqi, kur tha se “Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër”! Ishte si të thuash se “Unë e di se kush do jetë kryeministër i ri”! Derisa refuzoi vetë të bëhet kryeministër, me siguri që ka një marrëveshje për dikë tjetër. Pse mos të jetë Lumiri ky tjetri?
Problemi i vetëm është se u duhet të marrin votat e Listës Srpska dhe se çfarë duhet të bëjnë me Ramush Haradinajn. Haradinaj është i vështirë për koalicion, sepse kërkon vendin e presidentit. Por këtë post nuk mund ta marrë edhe PDK, edhe AAK. Sepse është vetëm një post. Kështu që Haradinaj do mbetej në opozitë. A e merrni me mend se çfarë do ndodhte me një qeveri që do të kishte në opozitë Albin Kurtin dhe Ramush Haradinajn?! Unë nuk do të doja të isha në atë pozitë. Sepse dështimi në qeverisje do të ishte i pashmangshëm. Dhe pazare me Kosovën nuk do të guxonte të bënte dhe më i guximshmi, jo më Lumir Abdixhiku, i cili nuk e ka këtë guxim”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.