Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca, ka reaguar pasi është përmendur në një emision nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës , Memli Krasniqi.
Në reagimin e saj, Grainca ka thënë se përmendja e saj nga kryetari i PDK-së vjen si pasojë e mungesës së rezultateve dhe dështimeve të partisë që ai udhëheq, veçanërisht në Drenas.
“Kur dikush që ka dështuar në muzikë e tash po e përjeton dështimin edhe në politikë merret personalisht me mua, kjo tregon shumë për gjendjen e tij. Në mungesë të ideve, projekteve e kauzave, me fjalë të tjera gjithçkaje, duket se e vetmja mënyrë që i ka mbetur për t’u dëgjuar është të flasë për të tjerët,” ka shkruar ajo.
Grainca i ka bërë thirrje Krasniqit që në vend që të merret me të, të fokusohet në problemet e brendshme të PDK-së. “Në politikë, guximi matet me vepra, jo me fjalë. Po të kishte pak guxim, rendi do të ishte që ‘Kryetari’ Krasniqi të dilte vetë përballë qytetarëve e të kandidonte për Kryeministër,” ka shtuar ajo.