Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Bartos, gjatë fjalimit të tij në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën ka deklaruar se ka ardhur koha për tërheqjen e UNMIK-ut nga territori i Kosovës.
Sipas Bartos, misioni i UNMIK-ut nuk ka më një rol të rëndësishëm në qeverisjen e vendit.
“Nuk ka krizë sigurie në Kosovë dhe UNMIK-u nuk ka rol në qeverisjen e Kosovës. Koha ka ardhur të tërhiqet misioni. Ne çmojmë përpjekjet e UNMIK-ut për dialog. Realiteti është se UNMIK-u është një mision paqeruajtës, pa paqeruajtës që punojnë në funksione që duhet të kryhen nga organizata të tjera”, deklaroi Bartos gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit.
Këtë deklaratë, avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot” e ka vlerësuar si të drejtë deklaratën e përfaqësuesit amerikan Jeff Bartos për tërheqjen e UNMIK-ut nga Kosova.
Ai është shprehur se prania e UNMIK-ut ishte e justifikuar pas luftës për konsolidimin e institucioneve dhe sigurisë, por tani Kosova është shtet i pavarur që ushtron sovranitet në tërë territorin e saj.
ImageAvokati Gazmend HalilajFoto galeri
“Deklarata e përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Jeff Bartos, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se ka ardhur koha që UNMIK-u të tërhiqet nga Kosova, përbën një qëndrim të drejtë dhe të vonuar.
Prania e UNMIK-ut në Kosovë ishte e justifikuar në periudhën pas luftës, kur vendi po kalonte fazën fillestare të konsolidimit institucional dhe të sigurisë. Mirëpo, sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione funksionale dhe me sistem kushtetues e juridik që ushtron sovranitet në tërë territorin e saj”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Halilaj ka shtuar se UNMIK-u në formën aktuale nuk ka më rol praktik apo legjitimitet në Kosovë.
Sipas tij, Kosova nuk ka më nevojë për administrim ndërkombëtar, por për partneritete të barabarta me shtetet mike, përfshirë SHBA-në.
“UNMIK-u, në formën e tij aktuale, nuk ka më as rol praktik e as legjitimitet në raport me realitetin politik dhe juridik të Kosovës. Vazhdimi i mandatit të tij vetëm sa krijon konfuzion në arenën ndërkombëtare dhe u jep hapësirë strukturave që mohojnë pavarësinë e vendit tonë. Prandaj, largimi përfundimtar i UNMIK-ut duhet të shihet si një hap i natyrshëm drejt konsolidimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ky qëndrim është në përputhje të plotë me parimin e vetëvendosjes, i cili ka qenë themel i përpjekjeve tona për liri dhe shtetësi. Kosova nuk ka më nevojë për misione që e trajtojnë si territor nën administrim ndërkombëtar, por për partneritete të barabarta me shtetet mike, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar Halilaj.