Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj Xhafer Tahirit, pas deklaratës së tij për një marrëveshje bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje në Vushtrri. LDK ka theksuar se një veprim i tillë është në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të partisë, e cila nuk synon asnjë koalicion me VV-në, as në nivel lokal dhe as në atë qendror.
E pas kësaj, ka reaguar edhe gazetari Viktor Buzhala, i cili në një postim në Facebook akuzoi LDK-në se në prapaskenë po bashkëpunon me PDK-në, me qëllim të përbashkët: dobësimin e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale, përcjell “Bota sot”.
Sipas tij, LDK dhe PDK po përpiqen të krijojnë një front të përbashkët për të dobësuar Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen në zgjedhjet lokale, me synim një koalicion të ardhshëm qeverisës.
Shkrimi i plotë
LDK reagoi sot ashpër ndaj Xhafer Tahirit që anuncoi kolaicionin me VV. Kjo parti nuk e ka ndërmend të bëjë koalicione askund me VV-në, pasi ato po i ruan për PDK-në, si ne nivel lokal, ashtu edhe nacional.
Në fakt, LDK synon mbështetjen e PDK-së në Prishtinë, Gjilan, Fushë Kosovë, Pejë, Obiliq, Viti dhe Suharekë, ndërsa në këmbim pritet që ta mbështesë PDK-në në Mitrovicë, Prizren, Klinë, Vushtrri dhe Kaçanik.