Përparim Rama e Uran Ismaili janë shprehur të hapur për koalicione qeverisëse në Komunën e Prishtinës, për dallim nga Hajrulla Çeku i cili vendosi vija të kuqe për LDK e PDK.
Të ftuar në emisionin Debat Plus, kryetari aktual Rama tha se do të jetë i hapur me të gjithë asamblistët pa dallime partike në rast se ata i bashkohet vizionit të tij transformues të Prishtinës.
“Jam i hapur për koalicione me secilin asamblist që i bashkohet vizionit tonë transformues dhe që ia dëshiron të mirën qytetit. Jo klikat partiake e personale, mirëpo qytetari i pari dhe skam problem të bëj koalicion me secilën parti”, deklaroi Rama.
Sikurse Rama u shpreh edhe kandidati i PDK-së, Uran Ismaili. Megjithatë, ai refuzoi koalicionet me plan programet e LDK-së e LVV-së.
“Koalicionet do t’i pranojë vetëm për projekte konkrete të Prishtinës. Nëse koalicioni do të jetë për çështje Prishtina 2035 si e Çekut e kjo e Përparim Ramës jo. Unë i paraqes platformat e mija dhe nuk e mbylli bashkëpunimin me askënd. Do t’i paraqes platformat e mija. Është e rëndësishme që 4 vitet e radhës të jenë projekte të realizueshme, koalicioni për mu është koalicion me realizu për atë që kemi hy”, tha Ismaili.
Për dallim nga Rama e Ismaili, Çeku u shpreh i bindur se nuk do të bëjë koalicion me LDK e PDK.
“Për shkak se janë bashkëpërgjegjës, do të tentojë të bëjë koalicion me të gjitha partitë e tjera përpos me PDK e LDK”, deklaroi Çeku.