Dronët turq në Kosovë, Osmani-Vuçiqit: S’mund ta kërcënosh Turqinë si fqinjët tuaj

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka reaguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e sulmoi Turqinë, pasi Kosova pranoi mijëra dronë kamikaz nga ky shtet.

Osmani tha se në të njëjtën ditë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump e lavdëroi Turqinë dhe Erdoganin për udhëheqjen në promovimin e paqes dhe sigurisë globale, Vuçiqi “pa turp po e sulmon Turqinë, një vend që si anëtare e NATO-s, po na ndihmon në mbrojtjen e paqes”.

“Jam krenare që kam punuar ngushtë me Presidentin Erdogna, një njeri fjale, që gjithmonë ka treguar kujdes të thellë dhe të sinqertë për të gjithë popujt e rajonit tonë, dhe që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe paqes”.

“Ndërkohë, Vuçiqi duket se beson se mund të kërcënojë një vend të madh të NATO-s si Turqia, në të njëjtën mënyrë siç kërcënon vendet fqinje. Në vend që të bashkëpunojë ngushtë me shtetet anëtare të NATO-s, ai po e shtyn përpara bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, Kinën dhe Iranin”, shkroi Osmani.